Telegrafi

OBRM-PDUKM: Është koha kur Zoran Zaevi duhet të largohet

Nëpërmjet një kumtese të partisë opozitare maqedonase OBRM-PDUKM thuhet se “marrëveshja e Prespës për ndryshimin e emrit të shtetit është edhe politikisht edhe juridikisht e vdekur”.

“Grupi parlamentari i OBRM-PDUKM-së nuk do t’i përkrah ndryshimet kushtetuese dhe për këtë shkak hoqën dorë nga debati në Kuvend”, thonë nga OBRM-PDUKM.

Sipas tyre, qytetarët në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje thanë se referendumi është i pasuksesshëm ndërsa marrëveshja është e vdekur, përcjell Telegrafi Maqedoni.

OBRM-PDUKM shton se debati që është në Kuvend është jo produktiv dhe paraqet shkelje të vullnetit të qytetarëve, ndërsa Zoran Zaevi dhe LSDM-ja duhet ta dëgjojnë vullnetin e mbi 1 milion e 200 mijë qytetarëve që votuan kundër marrëveshjes apo abstenuan.

“Është koha kur Zoran Zaevi duhet të largohet. Ai harxhoi dy vjet nga jeta e qytetarëve për të nënshkruar marrëveshje të dëmshme dhe për nënçmimin e shtetit”, thuhet në kumtesën e partisë opozitare maqedonase OBRM-PDUKM./Telegrafi/