Telegrafi

Obligimet dhe mundësitë ekonomike të Kosovës nga Raporti i Progresit (Video)

Mund të duket, sikurse lajmet që japin tituj bombastik, si p.sh. dialogu me Serbinë, i mbajtur në Bruksel, janë prioriteti i vetëm i marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Evropian, mirëpo në fakt, BE-ja i kushton vëmendje shumë të madhe nevojave të përditshme të qytetarëve të Kosovës.

BE-ja është në dijeni për realitetin se në Kosovë qytetarët duan dhe kanë nevojë për vende pune, stimulim të sektorit të biznesit, si norma më të ulëta interesi për kredi, dhe nevoja themelore të përditshme, si ngrohje më të mirë gjatë dimrit.

Në të vërtetë, Komisioni Evropian e ka thënë këtë dhe të tjera në raportet e tij vjetore për Ballkanin Perëndimor për disa vjet – të cilët përfshijnë këtu edhe Kosovën.

Disa prej rekomandimeve tashmë janë marrë në konsideratë – si norma më të ulëta interesi për kreditë afariste, të cilat kanë pasur një ndikim të menjëhershëm në tregun e punës.

Për shembull, Gresa Muli është një prej 26 të rinjve kosovarë që kanë gjetur punë në fabrikën “Pestova”, në qytetin verior të Vushtrrisë, pasi ky biznes i solli pronarit më shumë përfitime – madje edhe duke e inkurajuar atë që të paraqesë produkte të reja patatesh në treg. Muli tregon se ajo po kërkonte punë për dy vite të tëra dhe që nganjëherë ajo as që ftohej madje për intervistim.

“Isha në depresion sepse Kosova më dukej si një vend në të cilin të rinjtë nuk mund të gjenin kurrë punën e dëshiruar” thotë Gresa, e diplomuar në ekonomi.

“Pestova,” një fabrikë që kultivon dhe shet patate dhe produkte të saj, tani ka një staf prej 176 punëtorësh. Pronari thotë që vendet e reja të punës janë mundësuar si rezultat i normave më të ulëta të interesit për kredi afariste kohët e fundit, dhe si rezultat i mbështetjes financiare të BE-së.

“Kjo na dha hapësirë për të krijuar një biznes shumë më të qëndrueshëm. Tani do të kemi produkte të reja patatesh të cilat do të lansohen së shpejti në treg dhe kur bëhen investime të reja [si këto], krijohen edhe vende të reja pune,” thotë Bedri Kosumi, pronari i “Pestova”-s.

Kosumi shton se “ishte definitivisht granti i BE-së dhe kreditë e reja ato që mundësuan hapjen e 26 vendeve të reja të punës.” Ai beson se sapo të finalizohen të gjitha investimet, kompania e tij do të jetë në gjendje që të punësojë një grup tjetër të rinjsh kosovarë.

Ky tregim suksesi është një shembull i mënyrës se si të arrihet progres në trajtimin e një prej problemeve më të mëdha të Kosovës – zvogëlimin e papunësisë, e cila aktualisht është 35% sipas Agjencisë Kosovare të Statistikave. Raporti i BE-së thekson vazhdimisht se ende duhet të bëhet shumë punë.

Raporti i Komisionit Evropian nënvizon se progres i limituar është bërë në transformimin e Kosovës në një “ekonomi tregu” funksionale, në të cilën duhen fajësuar tregjet joformale dhe korrupsioni.

Ato që preken më së shumti nga papunësi janë zakonisht gratë, pavarësia financiare e të cilave është një prej pikave në të cilat përqendrohet Bashkimi Evropian. Megjithatë, ka pasur raste të përpjekjeve të suksesshme ndërmarrësore të cilat janë nisur nga gratë dhe janë ndihmuar nga fondet e BE-së.

Për shembull, falë asistencës së BE-së, gratë e fshatit jugor Krusha e Madhe në Kosovë kanë pasur mundësi më të mëdha punësimi në fabrikën e perimeve të përpunuara.

“Në vitin 2014, këtu kanë punuar 24 gra. Ndërsa tani, në vitin 2015, këtu punojnë 43 gra,” thotë udhëheqësja e fabrikës “Krusha”, Fahrije Hoti. Ajo sqaron se objektet e reja janë ndërtuar me ndihmën financiare të BE-së, dhe kështu është rritur kapaciteti dhe është dyfishuar prodhimi dhe stafi i tyre.

Hoti dhe koleget e saj janë bërë disa prej grave të suksesshme në biznes, pas vitesh përpjekje për të mbijetuar dhe për të gjetur punë. Këto gra janë ballafaquar edhe me vështirësi pas asaj që kanë përjetuar gjatë konfliktit në Kosovë.

“Ishte e vështirë që të punohej më një grup grash të cilat kishin humbur djemtë dhe burrat e tyre, mirëpo në të njëjtën kohë, ne kemi mirëpritur procesin e shërimit që na ka ofruar puna…” thotë Fahrije Hoti, duke rikujtuar ditët e para të kompanisë në vitin 2000.

Fatkeqësisht, shumë gra të tjera kosovare nuk kanë qenë aq fatlume veçanërisht kur është fjala te gjetja e vendeve të punës, thotë Veprore Shehu, Drejtoreshë Ekzekutive e “Medica Kosova”. Kjo OJQ ka ndihmuar drejtpërdrejt gratë të cilat kanë qenë në njëfarë mënyrë të prekura nga lufta.

Ajo beson se gratë kanë gjetur “paralele në mes të ballafaqimit me dhunën në luftë dhe përpjekjeve të tyre për të mbijetuar për çdo ditë. Diskriminimi gjinor, pabarazia dhe sfidat ndryshme ende janë të fuqishme këtu për shkak të shoqërisë patriarkale”.

Siç është përmendur në raportin e BE-së të këtij viti, pakoja e re e ligjeve për të drejtat njeriut, në mënyrë të veçantë ligji i sapo-miratuar për barazinë gjinore që është mbështetur nga BE-ja dhe Këshilli i Evropës, japin sinjale për progres të mëtejshëm dhe japin shpresë për grupet e të drejtave të grave.

Sa i përket Fahrije Hotit, ajo është e sigurt se “me ndihmën e BE-së dhe Ministrisë së Bujqësisë, kooperativa “Krusha” vetëm se do të rritet. Shpresoj se vitin e ardhshëm ne mund t’i kemi rreth 120 gra duke punuar këtu”.

Definitivisht ka pasur edhe disa gjëra të tjera në të cilat është parë progres në ngritjen e standardeve në përputhje me ato të BE-së gjatë 12 muajve të kaluar – siç është rasti i ngrohjes qendrore të kryeqytetit të Kosovës.

Mbi 11 mijë familje në Prishtinë do të kenë ngrohje qendrore 24 orësh si rezultat i një projekti 36 milionë eurosh, prej të cilave rreth 14 milionë euro kanë qenë financim i Bashkimit Evropian.

“Kemi fjetur në dhoma të ftohta” rikujton Ibrahim Orllati, qytetar i Prishtns dhe pronar i një banese tre dhomëshe. Familja e tij ngrohte vetëm një dhomë në tërë banesën për shkak të sistemit joefikas dhe të shtrenjtë të ngrohjes në Kosovë.

“Arsyeja dihet, po ta kishim ngrohur secilën dhomë, faturat e energjisë elektrike do të ishin shumë të larta” thotë Z. Orllati, dhe sqaron se si kanë ndryshuar në fakt gjërat për të mirë në dimri e kaluar. “Jemi shumë të kënaqur. Tani kemi 24 orë ngrohje. Dimrin e shkuar duhej të shkyçnim ngrohjen qendrore në shumicën e dhomave për shkak se bëhej tepër nxehtë”.

Në të vërtetë, disa raporte të BE-së theksojnë po ashtu jofikasitetin e sektorit të energjisë dhe nivelet e larta të ndotjes në Kosovë. Mirëpo, për shkak të projektit të ngrohjes qendrore, Kosova po kalon prej ndotësit të madh mazut, në ngrohje me avull – dhe emetimet e gazrave serë do të zvogëlohen për 50%.

Këto janë vetëm disa prej çështjeve që janë adresuar në raportin e progresit. Qëllimi i BE-së është që të ndihmojë Kosovën që të orientohet kah zhvillimi konkret politik, ekonomik dhe shoqëror. BE-ja nuk e mat vetëm progresin; ajo e mbështet atë në mënyrë aktive, si në aspektin politik ashtu edhe përmes asistencës financiare. Mirëpo, është shoqëria e Kosovës ajo që vendos se kur dhe si duhet lëvizur para. BE-ja është këtu për të ndihmuar në këtë proces. /Zëri/Telegrafi/