Në fshatin Raskovë të Obiliqit një veturë është vetaksidentuar dhe është përplasur në një shtyllë, me ç’rast pesë persona janë lënduar, dy prej tyre rëndë.
Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 16:30 në fshatin Raskovë të Obiliqit, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Bazuar në të dhënat fillestare, si pasojë e aksidentit pesë persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Sipas saj, hetuesit rajonal të njësitit të trafikut, kanë nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti.
Mësohet se aksidenti ka ndodhur në afërsi të shkollës, kur vetura e tipit “Golf2” ka humbur kontrollin dhe është përplasur në një shtyllë pranë rrugës.
Me këtë rast nga pesë personat e lënduar, dy janë në gjendje më të rëndë. /Telegrafi/