Ish-Presidenti amerikan Barack Obama kritikoi urdhrin ekzekutiv të pasardhësit të tij, Donald Trump për kufizimin e emigracionit. Obama gjithashtu mbështeti protestat e shumta në vend, ndërsa amerikanët shprehin pakënaqësinë e tyre me vendimet e Trump.
Përmes një postimi në Twitter, Kevin Lewis zëdhënësi i ish-presidentit Obama tha se ky i fundit është plotësisht kundër nocionit të diskriminimit ndaj njerëzve për shkak të fesë apo besimit të tyre.
Lewis gjithashtu tha se Obama është i ngazëllyer nga niveli i angazhimit popullor që po shihet në vend, ndërsa shtoi se protestat janë pikërisht ato që priten kur vlerat amerikane janë në rrezik.
Kjo është hera e parë që Obama, i cili i la pushtetin Trumpit para 10 ditësh, kritikon Presidentin aktual, duke shkelur një rregull të pashkruar se ish-presidentët përmbahen dhe nuk kritikojnë atë që i pason.
Gjithashtu kjo është komunikata e parë e Obamës qëkur u largua nga Shtëpia e Bardhë. Ish-Presidentët ecin mbi një ekuilibër të brishtë mes qëndrimit të angazhuar politikisht dhe sulmeve ndaj pasardhësve, transmeton tch.
Presidenti Xhorxh Bush nuk kritikoi kurrë politikat e Obamës, por ndërsa marrëdhënia e këtij të fundit me Trump është shumë ndryshe, komunikata e së hënës e bën të qartë se Obama do të jetë i angazhuar dhe do të flasë hapur për veprimet politike.