Telegrafi

Obama shpreson se Trump nuk do ta dërgojë në burg Hillary Clintonin

Presidenti amerikan në largim, Barack Obama, shpreson se do të vazhdojë tradita që njerëzit në pushtet të mos e shfrytëzojnë sistemin e të drejtës penale kundër kundërshtarëve të vet. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest.

Ai ka thënë kështu duke u përgjigjur në pyetjen nëse presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump do ta përmbushë “premtimin” dhe do ta dërgojë në burg kandidaten presidenciale nga radhët e demokratëve Hillary Clinton, njofton Reuters.

“Kemi traditë të gjatë në këtë vend që njerëzit në pushtet të mos e shfrytëzojnë sistemin e të drejtës penale për hakmarrje politike… Presidenti shpreson se kjo do të vazhdojë”, ka thënë Earnest në konferencën për gazetarë.

Trump, gjatë debatit të dytë presidencial në tetor, Hillary Clintonin e quajti “djall” dhe i sugjeroi se nëse do të fitonte në zgjedhjet presidenciale, do ta dërgonte në burg për shkak të skandalit rreth e-mail-ave zyrtarë të cilët ajo gjatë mandatit të vet si Sekretare e Shtetit i kishte dërguar nga serveri i saj privat.