Telegrafi

Obama, presidenti i 12-të më i mirë amerikan

Barack Obama është renditur si presidenti i 12-të më i mirë, nga 45 – përfshirë Donald Trumpin – sa kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky vlerësim bëhet sipas 91 profesorëve të historisë që studiojnë presidentët amerikanë, të cilët u angazhuan nga televizioni amerikan C-SPAN për të bërë këtë vlerësim.

Profesorët e vendosën Obaman nën Woodrow Wilsonin dhe mbi James Monroen.

Çështjet që merren më së shumti parasysh në këtë rankim janë: krizat gjatë udhëheqjes, autoriteti moral, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe lufta për të krijuar ambient me të drejta të barabarta për të gjithë, etj.

Obama në fushën e “të drejtave të barabarta” u vendos i treti, vetëm pas Abraham Lincolnit dhe Lyndon Johnsonit. Ai ishte në top 10 edhe për “autoritetin moral” dhe “ekonominë”.

Por, Obama ishte shumë poshtë në “marrëdhëniet me Kongresin” dhe jo edhe aq mirë në “marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Në vendin e parë si presidenti më i mirë i të gjitha kohërave i SHBA-ve u radhit Abraham Lincoln, George Washington ishte i dyti, ndërsa Franklin D. Roosevelt i treti. Të tjerë në top dhjetë ishin: Theodore Roosevelt (4), Dwight Eisenhower (5), Harry Truman (6), Thomas Jefferson (7), John F. Kennedy (8), Ronald Reagan (9) dhe Lyndon Johnson (10).