Presidenti amerikan në largim, Barack Obama, ua ka ndarë 21 personave nderimin më të lartë qytetar – Medaljen presidenciale të Lirisë.
Në mesin e personaliteteve të njohura që morën këtë medalje ishte edhe legjenda e basketbollit, Michael Jordan.
Në momentin kur e prezantoi, Obama bëri shaka duke thënë se “Jordan është më shumë se një ‘meme’ interneti” duke iu referuar ‘memes’ së njohur “Jordani qaraman”. Për koincidencë, Jordan u shfaq në pozën sikur ishte duke qarë.
Michael Jordan është një nga basketbollistët më të famshëm në histori. Ai i ka fituar gjashtë kampionate me Chicago Bulls dhe pesë herë është shpallur MVP. Ai u bë i njohur edhe se nuk mund t’i fshehte emocionet.
“Crying Jordan” (“Jordani qaraman”) është një ‘meme’ në internet, e cila u bë e popullarizuar në një forum hip-hopi në vitin 2014 i krijuar nga një anëtar i “Mutant”, të cilit iu kërkua nga një anëtar tjetër që të krijonte fotografinë e famshme nga ceremonia e fjalimit të Jordan në ‘Basketball Hall of Fame’ në vitin 2009, kur Michael qau. Që atëherë “Crying Jordan” u bë hit në rrjetet sociale. /Telegrafi/