Telegrafi

Nxitimi për kompletimin e bordit të OSHP-së – për liberalizimin (Video)

Përplasje politike për institucionet, për të cilat kërkohet që të mos ndikohen nga politika. Kjo është ajo që do të shohin ekspertët e BE-së, që pritet të vlerësojnë nëse janë përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave nga Kosova ose jo, me qëndrimin e tyre në Kosovë, raporton KTV.

Dështimi i koalicionit qeverisës në Kuvend, për të kompletuar bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, për kryeministrin Isa Mustafa, nuk ka qenë aq tragjik e madje, sipas tij, nuk do të ketë ndikim në liberalizim të vizave derisa për votimin tha se deputetët kanë qenë të lirë të vendosin.

Por, deputeti nga radhët e LDK-së, Arben Gashi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se u ishte kërkuar që të mos votojnë, pasi nga ajo që ishte kuptuar, të propozuarit ishin njerëz të afërt me PDK-në.

Propozimet për anëtarë të bordit pritet të jenë një nga pikat e rendit të ditës në mbledhjen e së premtes të Qeverisë. Të zhgënjyer me këtë janë shprehur Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku dhe shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.