Telegrafi

Nxit kundërthënie videoja ku Handanovic kap me dorë topin e kthyer nga Brozovic, por ka një arsye pse Romës nuk iu dha gjuajtje indirekte

(Foto: Football Italia)

Një video që është bërë virale në rrjetet sociale shfaq Samir Handanovicin duke kapur me duar një top të kthyer me këmbë nga Marcelo Brozovici, mirëpo ekziston një arsye pse Romës nuk iu dha gjuajtje e lirë indirekte.

Incidenti ka ndodhur në gjysmën e dytë të ndeshjes çerekfinale të Kupës së Italisë që u zhvillua të martën mbrëma.

Në bazë të pamjeve, mesfushori kroat e pranon topin nga një bashkëlojtar dhe ia kthen me këmbë portierit, i cili e kap me duar dhe loja vazhdon.

Në këtë çast, Brozovic kishte shikuar drejt gjyqtarit, i cili kishte kërkuar vazhdimin e lojës, derisa lojtarët e Romës nuk protestuan.

Qindra tifozë e kanë shpërndarë këtë video në rrjetet sociale, shumë prej të cilëve mendonin se Giallorossëve duhej t’u jepej gjuajtje indirekte.

Lexo po ashtu Interi mposht Romën, kalon në gjysmëfinale të Kupës së Italisë

Mirëpo, arsyeja pse nuk u konsiderua veprim i gabuar i portierit ishte se Nicolo Zaniolo e ka prekur topin lehtë në përpjekje për ta rrëmbyer nga Brozovic, që do të thotë se Handanovic kishte të drejtë ta kapte me dorë.

Interi fitoi me rezultat 2-0 kundër Romës në Giuseppe Meazza duke u kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. /Telegrafi/