Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë se kanë kërkuar nga Kryeministri që rishikimi i masave të bëhet çdo dy javë.
Ibrahimi në RTV Dukagjini ka thënë se ka pasur një konstatim se në të gjitha komunat e Kosovës gjendja me coronavirusin është shumë e rëndë.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës thotë se është kërkuar nga IKSHP të bëhet një vlerësim se sa do të kishte impakt në pandemi hapja e pishinave dhe stadiumeve.
Ibrahimi thotë se pikë tjetër e diskutimit ka qenë viti mënyra e fillimit të vitit të ri shkollor.
“Disa nxënës kanë komoditetin të kthehen në bankat shkollore pasi ka numër të pakët të nxënësve”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Drejtori i AKK ka thënë se në takim është dakorduar që nxënësit e klasës së parë të kenë prioritet në shfrytëzimin e bankave shkollore pasi sipas tij ata kanë nevojë të familjarizohen edhe me mësimdhënësin.
“Edhe nxënësit e klasës së dytë duhet të jenë të favorizuar në këtë drejtim pasi gjysmë vjetorin e dytë ata nuk kanë pasur mundësi t’i ndjekin mësimet në shkolla. Edhe nxënësit e klasave të gjashtë do të kenë përparësi për shfrytëzimin e bankave shkollore pasi kanë kaluar nga sistemi me një mësimdhënës në atë me shumë mësimdhënës. Edhe nxënësit e klasës së dhjetë do të kenë të njëjtën përparësi pasi kalojnë nga shkolla fillore në atë të mesme”, tha ndër të tjera Sazan Ibrahimi./Telegrafi/