Njohësi i zhvillimeve politike në Shqipëri, Adri Nurellari, gjatë një intervistë në emisionin InfoBox të RTV Dukagjinit, tha se nuk pret që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen me 18 qershor. Për këtë, Nurellari si faktor kyç e sheh edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.
“Zgjedhjet nuk kanë për t’u mbajtur me 18 qershor. Arsye pse kjo nuk ka për të ndodhur, mendoj unë, është roli dhe pozicioni delikat i LSI-së. Partia e Ilir Metës ka pasur një peshë shumë të madhe politike, duke e mbajtur të hapur opsionin për t’u aleancuar me PD-në”, ka thënë ai.
Nurellari thotë se kalkulimet me numrat pas zgjedhjeve, mund ta vënë në pozitë, që Ilir Meta, të kërkojë që të bëhet kryeministër i Shqipërisë, gjë që sipas tij janë gati ta ofrojnë edhe PS e PD.
“Në qoftë se pas këtyre votave, LSI forcohet, PD forcohet, edhe nëse PS merr prapë numrin më të madh të deputetëve, dhe LSI plus PD bëjnë 71 deputet, atëherë LSI del në një moment vendimtar shantazhimi dhe mund të kërkojë kryeministrin, gjë të cilën janë të gatshme të ia japin dyja palët”, ka deklaruar ai.
Për qeverinë teknike, Nurellari tha se nuk pret që kjo të vendosë fatin e zgjedhjeve, por e sheh më shumë si çështje të egos politike.
Në rast zgjedhjes, Nurellari përjashtoi mundësinë e një bllokade, siç ndodhi në Kosovë në vitin 2014, duke thënë se qeverinë nëse nuk e bën subjekti fitues, atëherë mandatohet subjekti i dytë për nga votat. /RTV D/