Site icon Telegrafi

Numri i madh i zëvendësministrave në Qeverinë Hoti, LDK nuk i përmbahet zotimit për dy zv.ministra për ministri

Demokraci Plus ka kërkuar kufizim të numrit të zëvendësministrave në dy, për çdo ministri.

Demokraci Plus thekson se sot bëhet një muaj nga zgjedhja e Qeverisë Hoti, brenda së cilës periudhë janë emëruar 46 zëvendësministra në kuadër të 16 ministrive.

Numri i zëvendësministrave për ministri shkon nga një deri në pesë, por që ky numër pritet të rritet duke pasur parasysh që si proces nuk është përmbyllur ende.

Lexo po ashtu Projektligji për Qeverinë parasheh 40 zëvendësministra, megjithatë Hoti ka emëruar deri tani 46

Nga numri i përgjithshëm i zëvendësministrave të emëruar, vetëm 7 janë gra apo 15% dhe 39 burra apo 85%, raporton Telegrafi.

“Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, LDK përmes kandidates së saj për kryeministre, ka nënshkruar Deklaratën e Zotimeve për Qeverisje të Mirë të hartuar nga Demokraci Plus. Përmes kësaj deklarate, LDK është zotuar në kufizimin e numrit të zëvendësministrave në maksimumi dy për ministri. Ky ka qenë edhe premtim elektoral, të cilin kërkojmë nga LDK si udhëheqëse e Qeverisë që t’i përmbahet. Kufizimi i numrit të zëvendësministrave, përveçse do të reduktojë shpenzimet financiare në këtë kohë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, ne besojmë se do të ndikojë edhe në rritje të efikasitetit të qeverisë, eliminimit të praktikës së punësimeve klienteliste, dhe vet ruajtjes së integritetit të pozitës së zëvendësministrit e cila po devalvohet nga emërimet e personave të pakualifikuar dhe mbipopullimit”, thuhet në njoftim.

Demokraci Plus kërkon: të mos emërohen më shumë se dy zëvendësministra për ministri; mos të ketë zëvendësministra nga subjekti politik i njëjtë me ministrin; të mos ketë zëvendësministra nga i njëjti subjekt politik brenda një ministrie; zëvendësministrat të kenë portofol të caktuar.

Kjo organizatë po ashtu kërkon që zëvendësministrat të jenë persona me integritet të lartë profesional dhe moral; të garantohet përfaqësim i barabartë gjinor për pozitat e zëvendësministrave; të publikohen me kohë të gjitha vendimet për emërime të zëvendësministrave; të azhurnohen të gjitha ueb faqet e ministrive me emrat dhe të dhëna biografike për zëvendësministrat. /Telegrafi/

Exit mobile version