Site icon Telegrafi

Numri i të papunëve në Kosovë, më i larti në rajon

Shkalla e papunësisë në Kosovë, përgjatë viteve ka mbetur pothuajse e pandryshueshme. Kjo për faktin se të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për këtë dukuri nuk kanë reflektuar gjendjen reale të papunësisë në vend, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare kishte shënuar rënie të lehtë nga 30.9 për qind në 30.0 për qind midis viteve 2012 dhe 2013, mirëpo ka shënuar rritje në 35.3 për qind në vitin 2014.

Sipas Ibrahim Rexhepit, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, kjo normë e papunësisë mbetet në një farë mënyrë gati e pandryshueshme, pasi që ASK nuk bën matje të shpeshta të kësaj dukurie.

Se të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës nuk pasqyrojnë gjendjen reale të papunësisë në Kosovë, e thotë edhe profesori i ekonomisë, Musa Limani.

“Norma e papunësisë nuk është aq sa e thotë Agjencia e Statistikave të Kosovës. Papunësia në Kosovë është mbi 50 për qind”, thekson Limani.

Papunësia në Kosovë edhe në raportet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare ishte theksuar se vazhdon të mbetet një nga problemet thelbësore të qytetarëve të Kosovës. Në një panair të punës të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, gjatë muajit qershor, vetëm për dy ditë sa ka qenë i hapur ai panair, mbi 1000 persona kishin kërkuar punë.

Drejtori ekzekutiv i kësaj Ode, Arian Zeka, kishte theksuar se treguesi më i mirë i shkallës së lartë të papunësisë në Kosovë është interesimi i madh i qytetarëve për të vizituar panairet e punës.

Ndryshe, bazuar në shkallën e papunësisë, Kosova ka nivelin më të lartë në rajon me 35.5 për qind, pasuar nga Bosnje dhe Hercegovina me 27.5 për qind, Shqipëria 17.9 për qind, Serbia 18.9 për qind dhe Mali i Zi me 18.0 për qind. /REL/

Exit mobile version