Madje 98% e firmave në vend bëjnë pjesë në grupin e firmave mikro dhe të vogla, ku janë të punësuar 61% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend. Mu këto firma janë edhe më të lëndueshme dhe ballafaqohen me probleme të likuiditetit.
Raporti i ri i revizorit shtetëror “Zhvillimi dhe avancimi i ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla në vend” e skenon gjendjen, mënyrën dhe efektet e kreditimit, gjegjësisht mbështetjen për këtë grup të firmave, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Të dhënat tregojnë se rritet ndihma shtetërore – mirëpo numri i firmave zvogëlohet. Me revizionin është përfshirë periudha prej vitit 2013 deri në vitin 2015, mirëpo në fusha dhe çështje të caktuara janë përfshirë edhe ngjarje para vitit 2013 dhe pas vitit 2015.
Prej vitit 2010 deri në viti 2014 – numri i firmave është zvogëluar për pothuajse 1.700 …
Të dhënat tregojnë se prej vitit 2010 deri në vitin 2014, numri i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme zvogëlohet. Kështu, në këtë periudhë të analizuar, sipas raportit të revizorëve, numri i NVM është zvogëluar për 1.668. Në fakt, në vitin 2010 kanë funksionuar 57.464 kompani, ndërsa në fund të vitit 2014 ky numër ka qenë 55.796. Nëse shqyrtohet struktura, zvogëlim ka në numrin e mikro-firmave, ndërsa rritje të numrit ka te ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha.
Mu ndërmarrjet mikro dhe të vogla, ato që janë më të lëndueshme, paraqesin edhe deri në 98% të numrit të përgjithshëm të firmave në vend. Në të njëjtën kohë, këto ndërmarrje punësojnë edhe numrin më të madh të fuqisë punëtore. Kështu, sipas raportit të revizorit shtetëror, vetëm në firmat mikro dhe të vogla në vitin 2014 kanë qenë të punësuar 223.644 njerëz ose 61% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në sektorin privat.
Ky trend i zvogëlimit të numrit të kompanive ndodh në periudhë kur qeveria promovon një numër të madh të masave për mbështetjen e biznesit. Revizori shtetëror konstaton se ka masa dhe aktivitete të shumta, mirëpo i përmend edhe dobësitë, veçanërisht në pjesën e qasjes administrative të firmave deri te paratë, gjegjësisht mjetet për zhvillim dhe investime.
Në ligjet që e rregullojnë ndarjen dhe shfrytëzimin e mbështetjes shtetërore për firmat e vogla dhe të mesme, ka dallime në definimin e madhësisë së kompanive, që ndikon në numrin e NVM-ve që mund të jetë shfrytëzuese të drejtpërdrejta të ndihmës shtetërore.
Sipas revizorëve, në periudhën e kaluar, me qëllim të përmirësimit të kushteve për zhvillim, janë ndërmarrë një sërë masash: thjeshtimi i procedurave për hapjen e biznesit, ristruktuimi i sistemit tatimor, kushte të favorshme për punësime të reja, si dhe qasje në burime të volitshme të financimit. Përderisa nga njëra anë promovohen masat e këtilla, nga ana tjetër – ndryshimet e shpeshta ligjore janë problem për një numër të madh të kompanive.
“Puna e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është e rregulluar me rregullativë voluminoze ligjore, me ndyshime dhe plotësime të shpeshta. Nga shkaku se një numër i madh i ndërmarrjeve nuk disponojnë me kuadro të mjaftueshme profesionale dhe të kualifikuara që mund vazhdimisht t’i ndjekin ndryshimet e rregullativës ligjore, shumë firma nuk kanë mundësi të sigurojnë qasje deri te mjetet për mbështetje që i ofron qeveria.”..
Ka para për projekte – mirëpo, sa janë shfrytëzuar…
Shfrytëzimi i kredive të volitshme nga Banka evropiane për investime, që sigurohen nga ana e Bankës maqedonase për mbështetjen e zhvillimit ka pasur efekte pozitiv, është përmirësuar puna e firmave dhe ka pasur ndikim në zvogëlimin e përqindjeve të kamatave në bankat afariste, thuhet në raport.
Megjithatë, revizorët japin rekomandime të shumta. Para së gjithash, konsiderojnë se ka nevojë të rishqyrtohet mundësia për zgjerimin dhe shtimin e masave dhe aktiviteteve me qëllim të mbështetjes së zhvillimit, përforcimin e ekonomisë, si dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të bizneseve të reja që kanë për qëllim përforcimin e konkurrencës dhe të inovacioneve.
“Të shqyrtohet mundësia për ndryshimin e rregullativës ligjore për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që të thjeshtohet korniza për punën e tyre” – thuhet në raportin revizor dhe shtohet:
“Nga ana e personit udhëheqës në Bankën maqedonase për mbështetjen e zhvillimit janë pranuar vërejtje për Propozim-raportin e revizorit të autorizuar shtetëror, të cilat janë shqyrtuar dhe është konstatuar se një pjesë pranohen me qëllim të precizimit plotësues të disa gjendjeve, e një pjesë nuk pranohen.”
Revizioni ka konstatuar se mbi 40% e mjeteve të planifikuara në programin kryesor për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, nëpërmjet Ministrisë për Ekonomi, nuk janë realizuar, gjegjësist nuk janë shfrytëzuar. Kështu, në vitin 2013 janë realizuar vetëm 50,4% e programeve, në vitin 2014 realizimi është 79,3%, ndërsa në vitin 2015, 69,2%.
Prej vitit 2009 deri në vitin 2015, për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe mesme, vendi ka ndërmarrë garanca për kredi në vlerë prej 350.000.000 eurosh ndaj Bankës investuese evropiane (EIB).
“Nëse merret parasysh vetëm numri i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vitin 2014 dhe të gjitha kontratat e nënshkruara nga tre linjat kreditore të EIB-së, atëherë del se vetëm 9% e këtyre firmave kanë shfrytëzuar linja të volitshme kreditore”, thuhet në raportin e revizorëve.
Sipas analizës, numri i vogël i kërkesave për miratimin e kredive, para së gjitash, është rezultat i kushteve që duhet t’i plotësojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme – hipotekë në pronë të patundshme, garanci të gjërave të tundshme, kambiale dhe kushte të tjera që ndërlidhen me kapitalin, numrin e të punësuarve dhe konkurrencën e tregut.
Revizioni zbulon se vitin e kaluar, për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, nëpërmjet buxhetit, gjegjësisht nëpërmjet pesë agjencive dhe institucioneve kompetente, janë plasuar 44,2 milionë euro.
Në adresë të revizorit, Banka maqedonase për mbështetjen e zhvillimit ka dërguar shkresë në të cilën informon se në mes tjerash, është bërë ndryshim i kushteve për të fituar qasje në kredi, në përputhje me kriteret e definuara nga ana e EIB-së. Nga BMMZH-ja konsiderojnë se konstatimi se 9% e firmave i kanë shfrytëzuar mundësitë për kreditim të volitshëm nuk paraqet pasqyrë reale të ndërmarrjeve të përfshira, për shkak se, siç thonë ata, jo të gjitha firmat kanë nevojë për kredi./Telegrafi/