Fjalimi i presidentit francez Emmanuel Macron u ndoq të hënën në mbrëmje nga mbi 21 milionë teleshikues në TF1, France 2 dhe M6, sipas të dhënave të publikuara sot nga ”Mediametrie”.
Fjalimi prej afro dymbëdhjetë minuta u ndoq nga 9,7 milionë persona në TF1, 8,3 milionë në France 2 dhe 3,1 milionë në M6.
Këto të dhëna nuk përfshijnë stacionet e lajmeve, rezultatet e së cilave do të bëhen të ditura gjatë paradites.
Ndryshe, presidenti francez i është drejtuar kombit pas protestave të jelek-verdhëve, ku ka paralajmëruar se masat e reja ekonomike do të duhej të ndihmonin punëtorët.
Macron ndër tjerash ka paralajmëruar se nga vitit i ardhshëm do të rritet paga minimale, kurse të gjithë ata punëtorë që kanë pagën minimale, do ta marrin me rritje prej 100 eurove, transmeton Telegrafi.
Duke komentuar protestat, Macron ka thënë se në asnjë mënyrë nuk arsyeton veprimet e dhunshme ndaj forcave të rendit dhe demolimin e objekteve, por ka shtuar se mllefi i një pjese të protestuesve “është i thellë”.
Masat e njoftuara nga Presidenti Emmanuel Macron, për të qetësuar një valë protestash në Francë, do t’i kushtojnë rreth 8-10 miliardë euro buxhetit të vendit. /Telegrafi/