Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se “përndjekja e paprecedent” e mediave në Turqi, pas përpjekjes për grushtet në muajin korrik, ka rritur numrin e përgjithshëm të gazetarëve të arrestuar në nivele të papara.
Organizata me seli në Nju Jork tha se më 1 dhjetor, në gjithë botën, prapa grilave kanë qenë 259 gazetarë, përfshirë së paku 81 në Turqi.
Kjo thuhet të jetë shifra më e lartë prejse Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka nisur numërimin vjetor më 1990, raporton Rel.
Kina, e cila ka pasur më së shumti gazetarë të arrestuar në vitin 2014 dhe 2015, ka zbritur në vendin e dytë, me 28 gazetarë në burg. Egjipti, Eritrea dhe Etiopia pasojnë Kinën.
“Gazetarët që punojnë për të mbledhur dhe shpërndarë informacione, kryejnë shërbim publik dhe të drejtat e tyre janë të mbrojtura me ligjin ndërkombëtar”, tha drejtori ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Joel Simon.
“Është tronditëse që kaq shumë qeveri shkelin angazhimet e tyre ndërkombëtare, duke burgosur gazetarë dhe duke shtypur lirinë e shprehjes”, shtoi ai.