Zyrtarë policor në kushte anonimiteti kanë dërguar ankesa në redaksinë e Dukagjinit duke treguar se nuk është kryer pagesa e rrezikshmërisë për orët shtesë që nga viti i kaluar ndonëse u takon me ligj. Arsyetim për këtë nuk kanë dhënë institucionet përgjegjëse.
Pagesa e shtesës për rrezikshmëri vazhdon të mbetet “molla e sherrit” mes Policisë së Kosovës dhe Qeverisë.
Ulja pikërisht e saj që u bë nga Qeveria aktuale, detyroi zyrtarët policor të dalin edhe në rrugë për të protestuar.
Sipas ligjit për Policinë, neni 47 i saj, pika tre thotë se shtesat përfshijnë, por nuk kufizohen në kompensime për punë të rrezikshme, punën nën stres, kompensime për orar të punës me ndërrime, pagesa gjatë festave, pagesa për punë jashtë orarit, dhe pagesa për caktim në punë të veçantë.
Por, televizioni ka kuptuar që shtesa për rrezikshmërinë në orët shtesë që punojnë zyrtarët policor nuk është zbatuar ashtu siç u takon me ligj.
Madje këtë ankesë në kushte anonimiteti ia ka drejtuar Dukagjinit një zyrtar policor i Njësisë Speciale për Ndërhyrje të Shpejtë, i cili ka treguar që në të kaluarën ka ndodhur një gjë e tillë.
“Që nga data 5 shkurt e vitit 2023 kur ka hyrë në fuqi ligji i ri për pagat në sektorin publik, edhe pse ne policët angazhohemi në orare jashtë orarit të rregullt, pagesa për orët shtesë bëhet vetëm duke u llogaritur me pagën bazë dhe nuk përfshihen shtesat tjera si rrezikshmëria dhe përvoja, në gjë e tillë nuk ka ndodhur më herët, pra para se ky ligj të hyjë në fuqi janë bërë pagesat për orët shtesë por në orë shtesë janë llogaritë edhe këto shtesa. Në bazë të kësaj logjike policët janë të rrezikuar vetëm në orarin e rregullt dhe angazhimi pas këtij orari nuk kanë rrezik”, tha një zyrtar policor anonim.
Zyrtari policor poashtu tregon se sa është shuma që ata nuk marrin me mos zbatimin e këtij ligji.
“Kjo diferencë për një punonjës nuk është edhe e vogël sepse është rreth 0.80 cent më pak pagesë për orë. Dhe shuma e orëve të paguara me këtë llogaritje është 2000-4000 orë shtesë varësisht se nga cila njësi jemi”, tha ai.
Sindikata e Policisë së Kosovës, zotohet se do t’i adresojë këto shqetësime.
Televizioni ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës për këtë paqartësi por të njëjtit që nga fillimi i kësaj jave nuk kanë kthyer përgjigje.