Ëndërronin për befasi që ta mposhtin Kombëtaren e Amerikës në konkurrencën e femrave në basketboll, por kjo gjë nuk mund të ndodh as në ëndrrat e tyre më të mira.
Amerika në konkurrencën e femrave në basketboll ka marrë një fitore si në stërvitje ndaj Serbisë me 20 pikë dallim 79:59 për të kaluar në finale të Lojërave Olimpike ‘Tokio 2020’.
Qysh nga çereku i parë vashat amerikane treguan seriozitetin dhe superioritetin përballë atyre serbe.
Çereku i parë përfundoi me 13 pikë epërsi për amerikanet (25:11), derisa edhe në të dytin ato ishin më të mira duke triumfuar (16:11).
Fitorja nga amerikanet u sigurua në dy çerekët e parë, por ato ishin më të mira edhe në dy të fundit (17:16 dhe 21:20), duke demoluar kësisoj kundërshtarët në gjysmëfinale.
Brittney Griner ka vazhduar me formë të mirë edhe në gjysmëfinale, duke qenë më efikasja tek amerikanet me 15 pikë e 12 kërcime.
Me lojë të mirë u dallua edhe Chelsea Gray me 14 pikë e dy kërcime, derisa Breanna Stewart shtoi 12 pikë të tjera, 10 kërcime e dy asistime.
Në finalen e madhe të Lojërave Olimpike, Amerika do të përballet me fituesin e duelit mes Japonisë dhe Francës.
Humbja e fundit e Kombëtares së Amerikës në konkurrencën e femrave në basketboll është në gjysmëfinale të vitit 1992.
Që nga ajo kohë vashat amerikane nuk dinë për humbje në Olimpiadë dhe synojnë ta fitojnë të shtatën radhazi. /Telegrafi/