Kalidou Koulibaly është duke e kompletuar kalimin te Chelsea, ndërsa tifozët e Napolit kanë protestuar kundër këtij largimi.
Mbrojtësi ka qenë pjesë e Partenopei nga viti 2014 dhe pritej ta trashëgonte shiritin e kapitenit pas largimit të Lorenzo Insignes.
Por, kjo nuk do të ndodhë, sepse ai pritet t’i kompletojë ekzaminimet mjekësore në Londër dhe të transferohet për 40 milionë euro në Stamford Bridge.
Në kampion stërvitor, Dimaro, drejtori Cristiano Giuntoli është përballur me protestat e tifozëve të acaruar, të cilët e kanë kritikuar atë dhe presidentin Aurelio De Laurentiis duke iu referuar komenteve të mëparshme kur kishin thënë se Koulibaly nuk është në shitje.
Në përgjigje të pyetjes: “A nuk thatë që Koulibaly nuk ishte i transferueshëm?”, Giuntoli i ka ngritur supet dhe ka thënë: “Nuk varet nga ne”.
Koulibaly ndjek Insigne dhe Dries Mertens që u larguan këtë verë nga Napoli, si pjesë e përpjekjeve të klubit për t’i zvogëluar shpenzimet e pagave. /Telegrafi/