Site icon Telegrafi

Nuk do të ketë jetë, nëse nuk e arrijmë paqen

Nga: Daphna Baram, ish-mbrojtëse e të drejtave të njeriut, gazetare dhe komediane nga Jerusalemi që në Universitetin e Lankasterit përgatit punimin e doktoratës / The Guardian (titulli origjinal: I was in Israel when Hamas attacked – now we must reflect on the senselessness of killing and being killed)
Përkthimi: Telegrafi.com

Për disa ditë mbeta pa fjalë. Miqtë nga Britania dhe gjetkë shprehën shqetësime dhe kërkuan informacione dhe kontekst. Nuk jam mësuar me rastet kur fjalët e mia dështojnë, por këtë herë kjo ndodhi. Kam lexuar artikuj të mprehtë në hebraisht, nga miqtë më të zgjuar. Doja vetëm të mblidhja veten dhe të qaja. Më në fund, sot fjalët u kthyen tek unë.

Të premten mbrëma isha në Jerusalem dhe mbesa ime Maya, 11 vjeçe, donte që gjatë natës të më mirëpriste në dhomën e saj të gjumit të sapo dekoruar, mu përballë banesës së nënës sime. U zgjova herët në mëngjes, nga tingulli i një alarmi. Maya ngrysi fytyrën dhe tundi dorën në mënyrë shpërfillëse, por, më pas, pothuajse automatikisht u ngrit dhe u nis drejt “hapësirës së sigurt” në shkallë ku u mblodhën familja ime, bashkë me fqinjët e tjerë të ndërtesës tetëkatëshe, duke pritur zhurmën e shpërthimit që na thotë se mund të ktheheshim në banesë. Kjo ndodhi për gjashtë herë të tjera, gjatë gjithë mëngjesit.

Tezja ime, që ishte në vizitë, në heshtje thoshte se duhet të kujdesemi për nënën që – në rrethana të ngjashme – kishte humbur krahun në vitin 1967. Por, nëna ime sapo nxori rrobat nga lavatriçja dhe shkoi t’i varte e vetme në çati, siç do të bënit ju.

Ndërkohë, lajmet nisën të përhapeshin nga jugu. Tmerret që sfidojnë besimin, terroristët në kibucë dhe në qytetet në kufirin e Gazës, familjet e fshehura në dhomat e sigurisë, familjet që vriten në masë, pengjet që merren në Gazë. Disa njerëz i njoh, disa miq të afërm. Xhaxhai i një miku që fshihet nën një varkë të përmbysur; shoqja e një shoqeje përmes telefonit dëgjoi se familja e motrës së saj u vra; nipi i një miku u vra në atë valë, vajza e një kushëriri për fije floku i shpëtoi të njëjtit sulm.

Mesazh pas mesazhi, katastrofa po shpalosej. Ajo që ne nuk mund ta paramendonim, por që gjithmonë e dinim ishte kjo: nëse mbani dy milionë njerëz në kampin më të madh të përqendrimit në Tokë, dhe nëse me raste bombardoni mijëra prej tyre, atëherë e krijoni një vullkan që para teje një ditë do të shpërthejë, duke shkaktuar mizori të tmerrshme pas atij shpërthimi. Por, kjo ishte vetëm gjysma e vlerësimit.

Shumicën e izraelitëve, vlerësimi tjetër goditi më shumë: ka dështuar aparati shtetëror. Njerëzit në jug po fshiheshin në dhomat e sigurta, nën shtretër dhe nën gardëroba, duke shpresuar dhe duke besuar se ndihma do të vinte; se, në këtë lloj situate, ushtria dhe policia brenda pak minutave do të shkonin në ndihmë. Por, askush nuk erdhi.

Duhej të prisnin për një ditë të tërë, duke thirrur redaksitë e televizionit dhe duke pëshpëritur në thirrjet e veta për ndihmë; shumë nga ta nuk mbijetuan. Ushtria nuk shihej askund. Disa njësi u shkatërruan nga forcat sulmuese palestineze, por shumica e ushtrisë u vendos shumë larg në Bregun Perëndimor, duke i siguruar provokimet e kolonëve në zemër të fshatrave palestineze.

Kryeministri u shfaq në televizion duke premtuar hakmarrje, lumenj gjaku dhe topa zjarri për njerëzit që mbaheshin ende robër dhe të dashurit e të cilëve u morën peng – pa përmendur se çfarë do të bënte për t’i shpëtuar nga kjo gjendje e vështirë. Që atëherë, është ekspozuar menaxhimi kaq i keq i vendit nën qeverisjen e tij të pamend. Ushtarët rezervistë ankohen për mungesë të furnizimeve, civilët dalin vullnetarë për të përgatitur ushqim për ta dhe për të tjerët që u zhvendosën dhe që u braktisën. Qeveria është në kërkim të një imazhi fitimtar të shkatërrimit në Gazë, sikur të mos na janë treguar për mijëra herë – pa dobi – pasojat e masakrave të tilla.

Një ministër kabineti thotë: “Tashti duhet të jemi mizorë dhe të mos i përfillim shumë robërit”. Fjalët e tij evokojnë “direktivën e Hanibalit” kontrovers – detyron njësitë e ushtrisë izraelite të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për ta rimarrë një ushtar të rrëmbyer, të vdekur apo të gjallë.

Por, ngopja e dëshirës së disa izraelitëve për hakmarrje, nuk do ta shpëtojë Benjamin Netanyahun dhe miqtë e tij.

Kjo ditë e kërkimit të llogarisë, si ajo e vitit 1973, do të jetë edhe dita e dënimit të tyre. Protestat që pushtuan Izraelin gjatë muajve të fundit dhe të cilat tani janë shndërruar në një frymë të vendosur për ndihmë dhe për vullnetarizëm, do të kthehen kundër tyre. Nëse vjen me një aspekt të ri të kotësisë së okupimit dhe të bllokadës së Gazës, kjo është një çështje tjetër. Izraelitët shpeshherë thonë se arabët e kuptojnë vetëm gjuhën e forcës, por kjo shpeshherë është pasqyrim i trishtuar i natyrës sonë.

Fluturimi im i kthimit në Mbretërinë e Bashkuar, u rezervua për të shtunën mbrëma, dhe ia dola mbanë duke e lënë familjen time me zemër të thyer. Teksa prisja të hipja, pati një tjetër alarm. Kush e dinte se hapësira e sigurt në aeroport ishte dyqan pa taksa? Teksa pyesja veten nëse ishte vetëm një dredhi e zgjuar marketingu, mora një mesazh nga vëllai im dhe nga një mik tjetër. Raketa nga e cila ishim strehuar, kishte rënë pikërisht mes shtëpive të tyre.

Attila – shoferi i taksisë – më merr në Luton dhe ishte plot me llafe. Kryesisht donte të dinte se pse njerëzit lëndojnë njëri-tjetrin. Sikur ta dija, mbase do ta kisha guximin t’ia citoja Rihannan: “Hesht dhe vozit”.

E diela kishte të bënte me pastrimin, të shpërqendroja veten duke parë futboll me miqtë dhe duke telefonuar babanë në Izrael, për t’ia dhënë atij një lajm të mirë të fundjavës: West Ham barazoi kundër Newcastle-it. Jam e lumtur që kati për njerëzit e ndjeshëm në shtëpinë e tij të pleqve është nën tokë. Është i sigurt atje. “Ma përshkruaj golin e dytë”, më pyeti dhe përsëri rrodhën lotët. Jam e tmerrshme në përshkrimin e golave; dhe, në përmbajtjen nga lotët.

Të mërkurën do të flas dhe do të prezantoj në një konferencë në Universitetin Brunel, përkitazi me studimin tim të doktoratës që ka të bëjë me komedinë stand-up të emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar. Nuk e kam idenë se si do ta bëj këtë. E vetmja gjë që më vjen në mendje janë fjalët e filozofit francez, hebreut Emmanuel Levinas, të cilat i kam hasur në kërkimet e mia për komunikim me “tjetrin” – qoftë përmes të qeshurës apo ndonjë mishërimi tjetër të përvojës: “Fytyra e tjetrit në pasiguri dhe në pambrojtje, për mua njëherësh është tundim për të vrarë dhe thirrje për paqe, ‘ti nuk do të vrasësh’”.

Momentalisht, asgjë nuk duket më e largët sesa paqja dhe vendimi kundër vrasjes, por nuk do të ketë fare jetë nëse këtë ne nuk e bëjmë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version