Telegrafi

Nuk do të ketë duel ndërmjet Wilderit dhe Joshuas brenda këtij viti

Anthony Joshua dhe Deontay Wilder (Foto: Getty Images)

Deontay Wilder planifikon të ndeshet me Tyson Furyn deri në fund të vitit – ka thënë Shelly Finkel.

Në këtë mënyrë, bashkëmenaxheri i kampionit të WBC-së e ka hedhur poshtë mundësinë e duelit të unifikimit të titujve ndaj Anthony Joshuas brenda vitit 2019. Në ndërkohë, ai ka thënë se ka akoma shpresë që rimeçi kundër Furyt të ndodhë brenda këtij viti.

Anthony Joshua, Deontay Wilder (Foto: Getty Images/Guliver)

Wilder do ta mbrojë titullin WBC kundër sfiduesit të detyrueshëm, Dominic Breazeale, më 18 maj, ndërsa Finkel iu është kundërpërgjigjur deklaratave të Eddie Hearn, duke e bërë të qartë se dy ndeshjet e ardhshme të amerikanit tashmë janë caktuar.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Deontay Wilder

“Deri së fundmi, ekipi i Joshuas nuk e deshi meçin, ata nxirrni lloj-lloj arsyetimesh dhe kjo është e drejta e tyre… Ata që në fillim donin një duel në Wembley ndaj dikujt që nuk ishte Wilder”.

“Këtë vit jemi shumë të angazhuar dhe do ta diskutojmë duelin ndaj Joshuas në vitin e ardhshëm”, ka thënë Finkel për Tha Boxing Voice. /Telegrafi/