Telegrafi

Nuk shqyrtohet peticioni për bashkimin e Mitrovicës

Peticioni për bashkimin e Mitrovicës nuk është diskutuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Kjo pasi kryetarja e këtij komisioni Duda Balje ka bërë të ditur se ky peticion nuk ka ardhur fare në komision.

“Nuk e kemi në rend të ditës peticionin për Mitrovicën, ky peticion nuk ka ardhur tek ne është punë e Kryesisë”, tha ajo.

Ndërsa, deputeti i VV-së Shemsi Syla, ka bërë të ditur se në Grupin Parlamentar të VV-së kanë marrë një kopje të peticionit.

Për këtë kanë reaguar deputetët e AAK-së dhe PDK-së ku kanë kritikuar kryetarin e Mitrovicës Agim Bahtiri se nuk e ka dërguar tek të gjitha grupet por vetëm tek Vetëvendosje. Megjithatë, deputetët më vonë kanë konfirmuar se peticioni sot ka shkuar tek te gjitha grupet parlamentare.

Deputetja Teuta Haxhiu tha se me këtë rast po luhet me ndjenjat e qytetarëve.

“Asnjëherë nuk i është drejtuar një peticion i tillë në komision. Asnjëherë nuk është drejtuar me shkrim. Ne kemi pasur shumë shkresa të tjera, por për ketë jo. Këtu është vendi përkatës. Komuna, z.Bahtiri nuk e ka ditur rrugën për ta dërguar në komisionin përkatës. Ne e shqyrtojmë peticionin. Kryesia, Qeveria janë dy rrugë të tjera, ne si grup punues e shqyrtojmë peticionin dhe neve nuk na ka ardhur. Ky është grupi punues dhe nuk ka ardhur asnjëherë. Janë duke luajtur me ndjenjat e qytetarëve, të mos bëjmë politikë”, tha Haxhiu. /KP/Telegrafi/