Komisioni për Zhvillim Ekonomik dhe Infrastrukturë në mungesë vendimmarrje, nuk e ka dërguar në Kuvend vendimin e Qeverisë për Privatizimin e Telekomit të Kosovës.
Gjatë mbledhjes, shumica e anëtarëve të këtij komisioni e përkrahen privatizimin e Telekomit, përveç deputetit të VV-së, Glauk Konjufca.
Ndërsa, u theksua nevoja që në këtë proces të ketë transparencë.
Ministri për Zhvillim Ekonomik, Valdrin Lluka, duke arsyetuar privatizimit e Telekomit, tha se kjo duhet të ndodhë, duke pasur parasysh të gjitha problemet që janë akumuluar ndër vite dhe se proceset e humbura gjyqësore po rrezikojnë qëndrueshmërinë e Telekomit.
Sipas tij, fillimisht duhet të rikonstruktohet dhe të përmirësohet ndërmarrja dhe vendimi për privatizim është në përputhje me ligjet në fuqi dhe se qëllimi është që 51 për qind të privatizohet, ndërsa 49 për qind të jetë në pronësi të shtetit.
“Këtij procesi privatizues do t’i paraprijë investim, transparencë dhe të ketë kredibilitet për tërë procesin e privatizimit”, tha Lluka.
Ndërsa, deputeti nga radhët i LDK-së, Lutfi Zharku tha se si parti e përkrahin privatizimin e Telekomit, porse nuk mund ta votojnë një vendim të tillë pa e pasur një raport të detajuar se në çfarë forme të privatizohet.
Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, kishte akuza të shumta ndaj ministrit Lluka dhe sipas tij ai është duke vepruar në kundërshtim me Kuvendin e Kosovës.
Lluka në përgjigjen e deputetit të VV-së, tha se disa pika të rezolutës së Kuvendit i kanë trajtuar, ndërsa sa i përket akuzave, ai u shpreh se nuk ka pasur asnjë ndikim në punën e tij si ministër.
“Është e vërtetë që kam punuar në Z mobile, kjo nuk ka të bëjë me punën time si ministër, kontrata skadon në qershor, nuk mundet me u shkëput tash”, shtoi ministri Lluka.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se gjendja e Telekomit është më e keqe prej që është themeluar dhe për këtë arsye duhet të privatizohet.
Sipas tij, procesi i privatizimit duhet të kishte ndodhur më herët dhe tash do të kishim një Telekom shumë më të suksesshëm.
“Sikur të kishte pasur ky kuvend përgjegjësi politike qytetare, ku proces do të ishte i harruar dhe do të kishim një Telekom shumë më të suksesshëm”, tha Krasniqi. /KP/Telegrafi/