Site icon Telegrafi

Nuk respektuan orarin e lëvizjes, policia ndaloi mbi dymijë persona brenda dy muajve

Vendi ynë është duke vazhduar të përballet me pandeminë COVID-19, ndërsa si masë parandaluese ndaj virusit tash e dy muaj qytetarëve iu është kufizuar lëvizja, orari i lëvizjes ndryshoi disa herë, ndërsa tani në fazën e dytë të lehtësimit të masave, qytetarëve iu lejohet të dalin dy herë në ditë nga dy orë, paradite dhe pasdite.

Mirëpo, për gjatë kësaj kohë shumë qytetarë nuk e respektuan orarin e tyre të lëvizjes, kjo bëri që Policia e Kosovës të ndërmarrë masa të nevojshme.

Nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur për Telegrafin se deri më datën 20 maj, kanë ndaluar 2 mijë e 425 persona, disa prej tyre janë dërguar në mbajtje e disa janë liruar në procedurë të rregullt.

Policia bën të ditur se referuar vendimeve të institucioneve të Kosovës, si dhe referuar Planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus të ri COVID-19, kanë hartuar me kohë urdhrin operativ policor të quajtur “UO për Gatishmëri dhe Reagim për Coronavirus-in COVID-19”.

“Policia e Kosovës të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme i ka ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante, konform edhe angazhimeve dhe detyrave sipas planit për gatishmëri dhe reagim”, thuhet në përgjigjen e Policës së Kosovës për Telegrafin.

Ndër të tjera, Policia e Kosovës thekson se “urdhri operativ i PK-së, ka për qëllim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve me institucionet qendrore dhe lokale që janë kompetent për luftimin, preventimin e rreziqeve nga virusi në fjalë si dhe përballjen me situatat të këtij lloji, në drejtim të koordinimit dhe reagimit me kohë, përfshirë edhe ndërmarrjen e masave ndaj atyre qe nuk respektojnë vendimet”.

“Bazuar në procedurat e parapara ligjore ne koordinim edhe me organet e drejtësisë, Policia e Kosovës për moszbatim te vendimeve ndaj pandemisë, deri më date 20.05.2020 ka iniciuar 1379 raste ndaj 2425 personave”.

Ndryshe, deri tani në Kosovë janë konfirmuar mbi 1 mijë persona me coronavirus, ndërsa 772 prej të infektuarve janë shëruar, kurse 30 persona kanë humbur jetën./Telegrafi/

Exit mobile version