Site icon Telegrafi

Nuk përjashtohet mundësia e ribashkimit të CR7 me Mourinhon – Roma, Bayerni dhe PSG destinacionet e mundshme

(Foto: Twitter/Manchester United/Real Madrid)

Mediat angleze kanë raportuar se Cristiano Ronaldo është i gatshëm ta ndërpresë bashkëpunimin me Manchester Unitedin në fund të sezonit, ndërsa Roma e Jose Mourinhos është ndër klubet e interesuara.

Superylli portugez u largua nga Serie A gjatë verës, pas tri sezoneve te Juventusi, ku arriti të fitonte trofe ekipore dhe të shpallej edhe Capocannoniere.

Ai nënshkroi me Djajtë e Kuq deri në verën e vitit 2023, mirëpo meqë nuk e ka treguar potencialin e tij nën Ole Gunnar Solskjaer dhe tash Ralf Rangnick (edhe pse i ka shënuar 14 gola në 26 paraqitje), 37-vjeçari është i interesuar të largohet nga Old Traffordi.

(Foto: Twitter/Manchester United)

Largimi i CR7 do të ndodhë sidomos nëse Unitedi nuk kualifikohet në Ligën e Kampionëve, ndërsa The Sun ka përmendur Paris Saint-Germainin, Bayern Munichun dhe Romën, si destinacionet potenciale.

Lexo po ashtu Nga Haaland te Ronaldo – pesë opsionet e PSG për zëvendësimin e Mbappe

Kalimi në Stadio Olimpico do të ishte shokues, sepse Giallorossët kanë gjasa më të vogla për kualifikim në Ligën e Kampionëve sesa Djajtë e Kuq dhe ai sapo është larguar nga një rival i Serie A.

Sidoqoftë, nën pronësi amerikane, Roma e solli Mourinhon dhe drejtorin e përgjithshëm, Tiago Pinto, duke i dhënë ekipit aromë portugeze. Trajneri ka punuar me bashkëkombësin e tij te Real Madridi dhe do të ishte një ribashkim fantastik, mirëpo rroga e majme e CR7 i bën gjërat të komplikuara. /Telegrafi/

(Foto: Twitter/Manchester United)

 

Exit mobile version