Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se Policia Kufitare në Himarë iu ka ardhur në ndihmë dy turistëve lituanezë të cilët ishin bllokuar në Gjirin e Anglezit.
Në njoftimin për media thuhet se menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare për t’iu ardhur në ndihmë turistëve.
“Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Policisë Vlorë ka marrë njoftim për dy turistë lituanezë që ishin duke bërë ecje në vendin e quajtur ‘Gjiri i Anglezit’. Ata e kishin të pamundur të vazhdonin lëvizjen, pasi nuk ndiheshin mirë dhe nuk mund të vazhdonin më tej.
Pas disa orë kërkimesh, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe gjetën dy turistët e huaj, të cilët më pas u shoqëruan me mjetin e Policisë Kufitare, në Himarë, ku ata ndodhen aktualisht në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin.
Policia thekson tutje se turistët kanë falënderuar shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.
Policia Kufitare e Vlorës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve, për të krijuar një ambient sa më të sigurt. /Telegrafi/