Telegrafi

Nuk mungon përkrahja nga Dua Lipa: Përveç donacioneve personale, unë bashkohem me markën Bond për të grumbullaur fonde

Dua Lipa (Foto: Mark Metcalfe/Getty Images/Guliver)

Artistja e mirënjohur shqiptare me renome botërore, Dua Lipa, ka bërë një shkrim të ndier për situatën e vështirë në Shqipëri.

Ajo publikoi në Instagram një fotografi nga klipi i saj “IDGAF”, ku shfaqet në dy pozicione, e veshur në njërin me blu dhe tjetrin me të kuqe, që simbolizojnë ngjyrat e flamujve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Në përshkrimin e fotografisë, këngëtarja ka shkruar se ka nisur një iniciativë në bashkëpunim me brendin “Bond”, që udhëhiqet nga dy vëllezër shqiptarë, ku do t’i ndihmojë në distribuimin dhe shitjen e materialeve për bluza, fitimet e të cilave do të shkojnë tërësisht për Shqipërinë.

Lexo po ashtu Bebe Rexha prenë biletën më 2 dhjetor drejt Shqipërisë, teksa rrit fondin në 100 mijë dollarë për shqiptarët e prekur nga tërmeti

Nga shkrimi i saj, arrijmë të kuptojmë edhe se ajo dhe familaj e saj kanë dhuruar gjithashtu donacione personalisht, pa dëshirën për t’i bërë publike në detaje.

“Ky 28 nëntor, Dita jonë e Flamurit Kombëtar, na gjen në mes të dhimbjes për jetët e humbura të tërmetit shkatërrues në Shqipëri dhe duke qenë krenarë për solidaritetin që vëllezërit dhe motrat tanë në Kosovë dhe në të gjithë botën po tregojnë për këtë tragjedi .

Si gjithmonë të gjithë jemi të bashkuar dhe të gjithë jemi duke kërkuar mënyrat më të mira për të ndihmuar familjet e prekura, fëmijët që kanë humbur prindërit e tyre, prindërit që kanë humbur fëmijët e tyre dhe miqtë që kërkojnë të gjejnë njëri-tjetrin dhe të jenë atje për të dashurit e tyre.
Çdo moment i humbur duket si një moment tepër vonë në ndërgjegjësimin në mbarë botën për këtë tragjedi, dhe kjo është arsyeja pse unë nuk mund të pres më.

Përveç donacioneve personale të mija dhe familjes sime, unë bashkohem me miqtë e mi Kushtrim dhe Arben nga @bond.nyc për të krijuar materiale që do të shiten në të gjithë botën dhe 100% të të ardhurave do të shkojnë drejt familjeve të prekura nga tërmeti në Shqipëri.
Të gjitha të ardhurat do të shkojnë drejtpërdrejt në llogaritë zyrtare të siguruara nga Qeveria e Shqipërisë me të cilët kemi qenë në kontakt përmes miqve tanë në Prishtinë.

Ne kemi dëshmuar që jemi të fortë dhe në momentet si kjo ne bashkohemi si një komb i vëllezërve dhe motrave të BASHKUAR.

Lutuni për Shqipërinë dhe për jetët e humbura. Bashkohuni me mënyrën më të mirë për të ndihmuar kauzën ose të bëni vetë gjërat tuaja. Koha është gjithnjë e duhur.”, ka shkruar Dua Lipa në Instagram.

Dua Lipa (Foto: Mark Metcalfe/Getty Images/Guliver)

Kjo nuk është hera e parë që artistja me prejardhje nga Kosova tregon gatishmëri për bamirësi, pasi për disa vite me radhë, ajo dhe fondacioni nën patronatin e saj, “Sunny Hill” në Prishtinë, kanë dhuruar fonde për art dhe kulturë në Kosovë. /Telegrafi/

Foto: Dua Lipa/Instagram