Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica në seancën e Kuvendit të Kosovës ka folur për çështjen e largimit nga shkolla të nxënëses A.D nga Peja, për shkak të bartjes së shamisë.
Korenica tha se ka katër javë që nxënësja në fjalë nuk po vijon procesin mësimorë.
“Ka katër javë që një vajzë nuk po vijon procesin mësimorë në Pejë, është e moshës madhore i ka 18 vjet. Çdo të dytën ditë paraqitet në shkollë dhe përjashtohet nga drejtori Musa Nikçi, dhe nuk e kuptoj se sa e drejtë është që ne të qëndrojmë këtu si deputet dhe ju si kryetar në krye të Kuvendit dhe vetë ministrja e Arsimit dhe të mos merret me rastin dhe mi jep të drejtën vajzës me shku në shkollë”, tha Korenica.
Deputeti shtoi se është përgjegjësi e tyre kolektive që si të zgjedhur nga populli të merrem ne këtë rast.
“Ne e kemi përgjegjësi kolektive si deputet edhe ju si kryetar i Kuvendit, dhe nuk ka kuptim me vazhdu me procesin e votimit dhe mos me trajtu këtë rast dhe me i jep të drejtën sikurse e kanë të gjithë fëmijët e tjerë për shkollim e arsimim”, tha Korenica.
Ai pati edhe një mesazh për ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
“I dërgoj mesazh të drejtpërdrejtë ministres së Arsimit të merret me rastin dhe mos të lejojë të na paraqiten të njëjtat probleme çdo vit për një faj që ne e kemi trashëguar nga dikush tjetër që e ka vendos në fuqi një udhëzim administrativ diskriminues”, tha Korenica.
E pas këtij deklarimi reagoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Konjufca ia tërhoqi vërejtjen deputetit Korenica se ishte jashtë rendit të ditës.
“Unë si kryetar i Kuvendit pasi po kërkon me qenë profesional më duhet ta tërheq vërejtjen se ishe jashtë rendit ditës. Fushata fillon nga 6-7 janari dhe e keni gjithë kohën e mjaftueshme mi ngrit gjitha problemet”, tha Konjufca.
Nxënësja A.D e gjimnazit “Bedri Pejani” në Pejë, është pezulluar së fundmi nga vijimi i mësimit për shkak se njëjta ka vendosur që të bartë shaminë.
Drejtori i gjimnazit, Musa Nikçi në një prononcim për Telegrafin ditë më parë ka thënë se nxënësja nuk është përjashtuar por pezulluar.
“Nuk është përjashtuar, është largu derisa te largon shaminë nëse don me ardh si nxënëse e rregullt për shkak të ligjeve dhe udhëzimit që ka shkolla në fuqi”, tha Nikçi.
Lidhur me këtë rast Prokuroria Themelore e Pejës ka filluar hetimet. Kështu ka bërë të ditur për zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.
“Pasi kemi pranuar informatat përmes email-it zyrtar për rastin në fjalë, çështja i është ndarë një prokurorit të shtetit , i cili do ta trajtoj rastin se a ka elemente të veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, nga neni 190 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Nikçi. /Telegrafi/