Site icon Telegrafi

Nuk i morën pagat e tash e tre muaj, Qeveria ndan katër milionë euro për Trepçën

Foto: Arkiv

Qeveria e Kosovës ka ndarë katër milionë euro për pagat e minatorëve të Trepçës, të cilët tash e tre muaj kanë mbetur pa paga.

Këtë e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ku tha se ky vendim ka ardhur pasi Bordi i Trepçës nuk ka arritur t’i sigurojë pagat.

“Për ndërmarrjen publike Trepça do të ndajmë katër milionë euro dedikuar për mbështetje të Trepçës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat nga xehja e nxjerr. Duket se ka tepër shumë punëtor mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, u shpreh Kurti.

Lexo po ashtu Mosekzekutimi i pagave, minatorët e Trepçës të enjten protestojnë para Qeverisë

Kujtojmë se Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka paralajmëruar protestë për nesër (e enjte).

“Minatorët e Trepçës së Kosovës kanë marrë vendim për të organizuar proteste paqësore për shprehjen e pakënaqësive, për padrejtësitë e vazhdueshme që tashme janë bërë të ditura, pra mosrealizimi i pagave për minatorët e Trepçës për më shumë se dy muaj. Protesta do të mbahet në Prishtinë pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, ditën e enjte, me date 15.08.2024 nga ora 12:00”, thuhej në njoftim. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version