Telegrafi

Nuk mbahet takimi i ftuar nga Bislimi me ish-ministrat e Financave për të diskutuar rreth Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë

Ministri i Financave, Besnik Bislimi | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ish-ministrat e Financave nuk i janë përgjigjur ftesës së ministrit në detyrë Besnik Bislimi për një takim siç ka thënë ai konsultues rreth “Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë”.

Bislimi tashmë është takuar me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmetin, i cili ishte i vetmi që iu përgjigj pozitivisht ftesës.

Ai kishte kërkuar bashkëpunim e tyre dhe që të lënë anash çdo mospajtim politik në këtë periudhë të pandemisë së COVID-19, shkruan Telegrafi.

“Në këtë kontekst e shoh të rëndësishme që të ulemi bashkë, dhe si bartës të pozicionit të njëjtë publik, por në periudha të ndryshme kohore, të diskutojmë për fokusin primar të pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë, kornizën monetare, organigramën implementuese dhe burimet e mundshme të financimit. E shoh si tejet të rëndësishme që në këtë fazë të dëshmojmë gatishmëri maksimale për bashkëpunim duke lënë anash cilindo mospajtim eventual politik a personal. Sugjeroj që takimin ta mbajmë ditën e martë, me 21 prill 2020, me fillim në ora 10 në sallën nr. 38 në ndërtesën qendrore të Qeverisë”, thuhet në ftesën e Bislimit.

Ftesa i është dërguar ish-ministrave Bedri Hamza, Avdullah Hotin, Besim Beqaj, Haki Shatri, Ahmet Shala, Ali Sadriu si dhe guvernatorit të Bankës Qendrore, Fehmi Mehmetin.

Aktualisht vlera totale financiare e Pakos Emergjente Fiskale është 179.65 milionë euro.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19. /Telegrafi/