Telegrafi

Nuk ka ulje të TVSH-së

Qeveria e Kosovës ende nuk e ka realizuar premtimin e dhënë për ulje të normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Ata kishin premtuar se nga 1 korriku i këtij viti, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për produktet bazë të konsumit do të shënojë ulje nga 16 për qind sa është aktualisht, në 8 për qind.

Ndërkohë, gjatë javës së kaluar mediet kishin raportuar se ka filluar zbatimi i normës së ulur të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Por, nga Ministria e Financave thonë se ky ligj ende nuk është miratuar. “Ligji është dorëzuar në Kuvend dhe hyn në fuqi pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Informim të kësaj Ministrie.

Në një prononcim, Nahit Sharku, nga Administrata Tatimore e Kosovës, kishte deklaruar se ligji duhet të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti.

“Nëse të gjitha procedurat ligjore shkojnë ashtu siç ka parashikuar Qeveria, atëherë ky ligj duhet të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti”, kishte deklaruar Sharku. /zeri/