Telegrafi

Nuk ka shpresa për ndërtimin e hekurudhës Kosovë-Shqipëri

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, thotë se njëherë për njëherë nuk ka arsyeshmëri ekonomike që dy shtetet Kosova dhe Shqipëria të bëhen bashkë me anë të hekurudhave.

Zharku në emisionin “InfoMagazine” të KlanKosovës ka thënë se pala kosovare e ka paraqitur si projekt prioritar një gjë të tillë, por kjo, meqë më shumë investim duhet të bëhet në Shqipëri, nuk është parë si e arsyeshme për shkak të kostos së lartë.

“Ajo nuk është futur në Bruksel nga pala kosovare. Ne e kemi paraqitur si projekt prioritar, por sipas vlerësimeve të ministrisë së Shqipërisë është kosto prej 9 miliardë eurove”.

“Dhe, për këtë Shqipëria ende nuk është në gjendje ta përballojë”, theksoi Zharku.

Ai ka thënë se qarkullime tregtare në vit, midis dy shteteve, ka 60 deri në 70 milionë euro, ndërsa të gjitha këto bëhen me anë rrugore.

“Nëse duhet të lirohemi pak prej patriotizmit. Derisa ne kemi qarkullime tregtare në nivelin prej 60-70 milion eurosh në vit, ajo nuk paguhet. Kur eksportet-importet tona kryhen nga rruga e autostradës, duhet të bëjmë një studim fizibiliteti për hekurudhat”.

“Hekurudha njëherë për njëherë nuk ka arsyeshmëri ekonomike”, tha ai.