Telegrafi

Nuk ka shënuar në 10 ndeshje radhazi në Ligën e Kampionëve – por shpresat e Interit për përmbysje ndaj Liverpoolit janë te Lautaro Martinez

Lautaro Martinez nuk ka shënuar në 10 ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve për Interin, por është njeriu që duhet parë sonte në ‘Anfield Road’.

Argjentinasi ka pasur ngritje dhe ulje këtë sezon, por ka arritur 15 gola në 36 paraqitje në të gjitha garat.

24-vjeçari nuk e kishte gjetur rrjetën në vitin 2022 përpara ndeshjes të së premtes së kaluar në Serie A kundër Salernitanas, kur i dha fund thatësirës së golit duke shënuar het-trik.

Lautaro do të kërkojë t’i japë fund mungesës së golave evropiane sonte pasi Interi përballet me Liverpoolin në “Anfield Road” në ndeshjen e dytë të raundit të të eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.  The Reds fituan në Milano me rezultat 2-0 tre javë më parë.

El Toro nuk e futi emrin e tij në listën e realizatorëve në asnjë nga ndeshjet e Interit në fazën e grupeve këtë sezon dhe goli i tij i fundit evropian daton në nëntor 2020, në humbjen 3-2 kundër Real Madridit.

Interi shpreson që mallkimi i tij evropian të përfundojë në tokën angleze sonte.

Lautaro pritet të startojë përkrah Edin Dzekos në sulmin e Interit dhe cilësitë e tij do të jenë vendimtare për të ndihmuar Interin të mbajë gjallë shpresat e kualifikimit.

Simone Inzaghi u ka kërkuar lojtarëve të tij të shënojnë një gol në pjesën e parë për të mbajtur të hapur kualifikimin dhe Dzeko do të jetë pika kryesore e referimit të Interit në sulm, ndërsa Lautaro mund të shfrytëzojë sa më shumë hapësirat e krijuara nga partneri i tij sulmues.

Mbrojtja e Liverpoolit nuk është e pamposhtur. Ata pranuan dy gola kundër Milanit në fazën e grupeve në shtëpinë  tyre në fillim të këtij sezoni, me Brahim Diaz dhe Ante Rebic që shënuan, por The Reds përfundimisht fituan ndeshjen me rezultat 3-2.

Besimi i Lautaro është i lartë pas het-trik-ut të tij kundër Salernitanas gjatë fundjavës dhe ai do të ketë motivim shtesë sonte.

Nuk do të jetë e lehtë për të apo për Interin të gjejnë një boshllëk në mbrojtjen e Liverpoolit, por nëse e gjejnë një të tillë, duhet të sigurohen që të jenë të pamëshirshëm. /Telegrafi/