Telegrafi

Nuk ka rritje të kriminalitetit në veri të Kosovës

Komunat veriore të Kosovës nuk janë duke i zbatuar masat e Qeverisë së Kosovës për Parandalimin e pandemisë së Coronavirusit, por po e respektojnë gjendjen e jashtëzakonshme të shpallur nga Serbia.

Ndonëse ata po veprojnë me masat e Serbisë, Policia e Kosovës thonë se situata është normale dhe nuk ka rritje të kriminalitetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se gjatë këtyre ditëve nuk ka rritje të kriminalitetit në këtë pjesë.

“Situata e njëjtë është, normale nuk kemi ndonjë ngritje të kriminalitetit”, ka thënë Qalaj.

Katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku kanë vendosur ta zbatojnë gjendjen e jashtëzakonshme të cilën e ka shpallur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Të ashtuquajtura Organe të Përkohshme, që në fakt janë komunat paralele kanë urdhëruar banorët që ta respektojnë gjendjen e jashtëzakonshme të Vuçiqit.

Të ashtuquajtura Shtabe të Krizës kanë urdhëruar që asnjë person të mos lëvizë, respektivisht të mos del nga shtëpitë e tyre prej orës 20:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit.