Pavarësisht rënies së çmimit të naftës në tregjet botërore dhe të produkteve bazike, në Kosovë kjo nuk po reflektohet.
Për profesorin e ekonomisë Nagip Skenderi, në vendin tonë vazhdon të ketë ngritje të çmimeve dhe se kjo po ndodh nga manipulimi që bizneset po bëjnë me situatën.
“Në Kosovë rënia e çmimeve të naftës është duke reflektuar pak, mirëpo jo në ato përmasa si në vendet botërore. Ndërsa, te disa produkte bazike kemi ngritje të çmimeve, produkte këto të cilat janë elementare për shportën e konsumatorit, sidomos ato që janë esenciale si buka, energjia elektrike, mielli, vaji, kripa, sheqeri e shumë të tjera”, tha për Telegrafin profesori Skënderi.
“Bizneset janë duke manipuluar me situatën. Manipulimi i tyre lidhet me atë se kinse në ato tregje kemi ngritje të çmimit, gjë që nuk është reale. Ata janë duke manipuluar nëpërmjet të ashtuquajturit zinxhir i furnizimit, se kinse kjo po ndikohet nga ato vende që importojnë produktet”, shton ai.
Ai thekson se ky është një inflacion abuziv.
“Nuk është një inflacion real, por se një inflacion abuziv. Duke manipuluar me situatën, tregtarët thirrën në emër të asaj se tregjet botërore janë në mungesë dhe se thirrën në luftën ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës”, thekson ai.
Profesori i UP-së kërkon që Qeveria e Kosovës, me instrumentet që i ka, të shoh se nga po vjen kjo rritje.
“Qeveria nëpërmjet instrumenteve që i kanë, nuk janë duke hulumtuar këto kontekste se nga po vijnë këto çmime, i cili nuk është real, e që e kemi një inflacion të kamufluar te këto kriza, e që janë duke u përballur me rritje”, kërkon Skënderi.
Qytetari Shpend Lila thotë se çmimet në Kosovë vazhdojnë të mbesin të larta dhe se “pas 1 janarit, ka për të pasur më tepër hesap për të blerë ushqim në Gjermani”.
“1.19 euro çmimi i naftës në Prishtinë. Çmimet në Kosovë, sidomos produktet ushqimore vazhdojnë të mbesin me çmime të ngritura. Një karrocë që e ke mbushur me 70 euro sot të kushton minimum 170 euro apo 200 euro. U ngritën puna e çmimit të naftës, ta kujtojmë, kështu na thoshin bizneset. Pas 1 janarit [2024], ka për të pasur më tepër hesap për të blerë ushqim në Gjermani”, shkruan Lila në Facebook.
Kurse, qytetarja Salie Osmankaq pyet se pse nuk ka zbritje të çmimeve për produktet edhe pse ka rënie të çmimit të derivateve të naftës.
“Kanë rënë çmimet e derivateve dhe ato të miellit. Ky është lajm i mirë. Por, pse nuk zbresin çmimet e produkteve tjera që u shtrenjtuan menjëherë pas ngritjes së çmimeve të derivateve dhe miellit? Hajde tash, zbrisni çmimet, çka po prisni?!”, thotë Osmankaq.
Ndryshe, inflacioni i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit për muajin prill ishte 6.3 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
“Ngritje të çmimeve të konsumit ka pasur te pajisjet telefonike dhe të telefaksit me 27.2 për qind, shërbime për transport me 5.6 për qind, veshje dhe këpucë me 1.5 për qind, pije alkoolike me 1.5 për qind, ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet me 1.2 për qind dhe pemë me 0.8 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 për qind”, thekson Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Pyper dhe Valicon në një sondazh të realizuar gjatë muajit shkurt ka gjetur se rritja e çmimeve vazhdon të jetë shqetësimi kryesor i qytetarëve në Kosovë.
Sipas këtij hulumtimi, del se Kosova po përjeton më pak përmirësim financiar sesa vendet e tjera të rajonit.
“Kosova po përjeton më pak përmirësim financiar sesa vendet e tjera. Të anketuarit po blejnë më pak se gjashtë muaj më parë. Inflacioni ka pasur ndikim të madh në Kosovë, ku 73 për qind e të anketuarve e kanë përmendur atë si shqetësimin kryesor”, thuhet në hulumtim. /Telegrafi/