Rexhep Sijarina nga Policia e Kosovës ka theksuar se nuk ka mjet shpërthyes në veturën e cila ndodhet në afërsi të Grandit.
Ai ka thënë se personi i cili e ka lënë veturën në afërsi të Grandit është identifikuar.
“Siç kemi marrë informacion, rreth orës 16:00, vetura ka qenë e ndezur. Në veturë është gjetur një telefon mobil dhe të holla në valutën e Serbisë. Vozitësi nuk ka qenë. Për momentin nuk ka asnjë mjet të dyshimtë. Vozitësi është identifikuar”.
“Ai ka shkuar në një ceremoni – një rit fetar – në Graçanicë dhe është nisur drejt Prishtinës me një patrulle policore… Vëllai i këtij personi është për momentin në stacionin e Policisë në Prishtinë, duke u intervistuar”, ka deklaruar nënkoloneli i Policisë së Kosovës.
Sijarina më tej ka theksuar se vetura do të largohet pasi të kryhen të gjitha ekzaminimet. /Telegrafi/