Drenica dhe Gjilani janë ndarë në paqe në kuadër të ndeshjes së fundit të xhiros së katërt.
Dy skuadrat u përballen në stadiumin ‘Bajram Aliu’ në Skënderaj, në një sfidë që përfundoi pa gola 0-0.
Qemail Elshani pati rastin më të mirë për vendasit në pjesën e parë, teksa Veliu, Kurtaj e Hajdari për mysafirët, por që pa e arritur cakun.
Vakia e kësaj ndeshje ishte se gjyqtari Dardan Çaka akordoi penallti në minutën e 30-të për Gjilanin, por pas konsultimit me gjyqtarin e katërt Alban Shalën ai e anuloi vendimin e tij.
Kësisoj 45 minutat e para përfunduan me rezultat të barabartë 0-0.
Në pjesën e dytë mysafirët patën më shumë nga loja, duke krijuar disa raste të mira shënimi.
Ardit Hila, Gerhard Progni, Fiton Hajdari e Shend Kelmendi patën raste të mira shënimi, por që goditjet e tyre u ndalën nga portieri vendas Ymeri.
Kësisoj në fund dy skuadrat u ndanë në paqe, teksa kanë grumbulluar nga pesë pikë pas katër xhirove ku ndajnë pozitën pesë dhe gjashtë.
Në xhiron e ardhshme që luhet këtë fundjavë, Drenica do të ketë një takim tejet të vështirë pasi luan në udhëtim te Ballkani.
Në anën tjetër Gjilani i trajnerit Mezani do të mirëpres në shtëpi befasinë e këtij kampionati, Arbërinë. /Telegrafi/