Telegrafi

Nuk ka fitues në Gjilan, lideri ndalet nga Drenica

Lideri i Ipko Superligës së Kosovës, Gjilani është ndalur nga Drenica në barazim 1-1.

Gjilani e nisi më mirë takimin duke krijuar disa mundësi të mira shënimi.

Kushtrim Shabani fillimisht tentoi, por pa sukses, ndërsa edhe mesfushori tjetër Muhamed Useini pati tri raste brenda shtatë minutave, por përsëri nuk arritën cakun.

Fiton Hajdari në minutën e 34-të dhe Gerhard Progni në të 37-të gjithashtu rrezikuan, por Ymeri ishte në vend.

Vendasit fituan penallti në minutën e 38-të, pasi Drilon Lladrovci luajti me dorë në zonë.

E i saktë nga pika e bardhë u tregua sulmuesi llapjan Fiton Hajdari që kaloi skuadrën e tij në epërsi.

Drenica tentoi barazimin e rezultatit me Diar Mustafën e Argjend Bardhin, por në vend ishte Kenan Haxhihamza, duke ruajtur epërsinë e skuadrës së tij.

Në minutën e 55-të, Gjilani shënoi golin e dytë me Keita Razak, por që u anulua për pozitë jashtë loje.

Drenica e gjeti golin e barazimit në minutën e 71-të, kur realizoi me kokë pas daljes jo të sigurt të portierit vendas.

Gjilani tentoi të rikthehej në lojë duke sulmuar vazhdimisht portën e mysafirëve, por pa sukses dhe në fund u desh të kënaqen dy skuadrat me nga një pikë.

Edhe pse barazuan ndaj Drenicës, skuadra e Mezanit vazhdon të mbetet në pozitën e parë në tabelë me 31 pikë, sa ka edhe Ballkani.

Drenica ndërkohë është e shtata në tabelë me 10 pikë më pak se bardhekuqtë.

Në ndeshjen e ardhshme Gjilanin e pret një udhëtim i vështirë pasi luan në Therandë përballë Ballkanit.

Ndërkohë skuadra e Tahir Lushtakut, Drenica para tifozëve të vet do ta pres Vushtrrinë. /Telegrafi/