Telegrafi

Nuk ka fitues në Gjakovë, Vëllaznimi dhe Feronikeli ndajnë pikët

Nuk ka sjellë fitues ndeshja në Gjakovë mes Vëllaznimit dhe Feronikelit.

Dy skuadrat luajtën një lojë të fortë por pa arritur të shënojnë kështu që në fund ndanë pikët duke luajtur baras 0-0.

Në shkallët e stadiumit në Gjakovë ishin mbledhur mijëra tifozë në përkrahje të Vëllaznimit.

Rasti i parë në ndeshje erdhi pas 18 minutave lojë, kur Memaj i vendasve gjuajti bukur por intervenimi i Faton Malokut ishte mbresëlënës duke mbetur rezultati 0-0.

Feronikeli tentoi nëpërmjet Kreshnik Lushtakut të shënoj, por goditja e tij u bllokua nga Morina.

Pjesa e parë përfundoi ashtu siç filloi me rezultat të barabartë 0-0.

Me të filluar pjesa e dytë, gjakovarët përsëri rrezikuan nëpërmjet Egzon Gashit, por edhe njëherë Faton Maloku ishte vendimtar duke shpëtuar portën e tij.

Deri në fund, të dyja skuadrat kishin raste të mira shënimi por pa arritur të gjejnë golin.

Feronikeli vazhdon e pamposhtur në elitën e futbollit kosovar, ku pas pesë ndeshjeve kanë nëntë pikë dhe zënë pozitën e katërt, ndërsa Vëllaznimi ka grumbulluar tetë pikë.

Javën e ardhshme, Vëllaznimi do të jetë mysafire e Llapit në Podujevë, ndërsa Feronikeli pret kampionin në fuqi Trepçën ’89. /Telegrafi/