Site icon Telegrafi

Pa fitues në Drenas, Feronikeli dhe Prishtina ndajnë pikët

Nuk ka sjellë fitues ndeshja derbi e javës së 18-të mes Feronikelit dhe Prishtinës që përfundoi në barazim 0-0.

Ndeshja nisi mirë për vendasit ku qysh në minutën e dytë rrezikuan pas një goditje të Dabiqajt por që priti portieri mysafir Visar Bekaj.

Feronikeli rrezikoi mysafirët edhe në minutën e 11-të, pas një depërtimi të bukur Mendurim Hoti goditi bukur por që përsëri në vend ishte Bekaj.

Disa minuta më vonë, Prishtina rrezikoi dy herë me Pefqelin dhe Bozovicin, ku ky i fundit nuk shënoi edhe pse kishte portën të zbrazur.

Pasi kishin kaluar 30 minuta lojë, përsëri mesfushori malazez i Prishtinës, Bozovic tentoi por që Maloku i vendasve bëri mrekulli me pritjen e tij.

Feronikeli kërkoi golin e epërsisë edhe në fund të pjesës së parë por goditja e Behar Maliqit u prit nga Bekaj.

Me rezultatin e bardhë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj ndeshje derbi.

Në pjesën e dytë, Feronikeli rrezikoi në minutën e 56-të nëpërmjet Ahmet Halitit por pa sukses.

Kryeqytetasit kërkuan penallti nga gjyqtari Fatmir Tahiri në minutën e 70-të por ky i fundit heshti edhe pse u protestua ashpër.

Vetëm një minutë më vonë, Haxhi Shala i vendasve tentoi me një goditje të fuqishme por Visar Bekaj ishte në vend.

Deri në fund të ndeshjes rezultati mbeti i pa ndryshuar ai i fillimit 0-0.

Kësisoj Prishtina e përfundon stinorin vjeshtor në pozitën e dytë me 32 pikë të tubuara, një më pak se lideri Llapi.

Ndërkohë Feronikeli mbetet në pozitën e pestë në tabelë me 28 pikë pas 18 xhirove. /Telegrafi/

Exit mobile version