Site icon Telegrafi

Nuk ka fitues në Derby della Madonnina: Milani dhe Interi i ndajnë pikët

Foto: Inter/Twitter

Milani dhe Interi i kanë ndarë pikët në derbin që u zhvillua në kuadër të javës së 12-të në Serie A, pas ndeshja përfundoi 1-1.

Fillimisht, Nerazzurët kaluan në epërsi me golin e realizuar nga Hakan Calhanoglu në minutën e 11-të nga pika e bardhë.

Por, epërsia e tyre zgjati vetëm gjashtë minuta, pasi Stefan De Vrij realizoi auto-gol, për rezultatin 1-1.

Interi kishte mundësinë që të rikthente epërsinë, por Lautaro Martinez në minutën e 27-të dështoi të shënonte nga penalltia.

Në 45 minutat e dytë, të dy skuadrat ishin tejet të përmbajtura për dallim nga pjesa e parë.

Loja mes tyre ishte e fokusuar më shumë në mesfushë dhe me topa që nuk kishin saktësi.

Nerazzurët mund të thuhet se ishin për një nuancë më të mirë në këtë sfidë, derisa krijuan më shumë shanse për të realizuar gol.

Posedimi i topit ishte pothuajse i barabartë, e që dy skuadrat nga qyteti i Milanos u ndanë të kënaqura me nga një pikë.

Pas javës së 12-të, Milani është në vendin e dytë me 32 pikë, aq sa ka edhe Napoli, derisa Interi është në të tretin me 25 sosh.

Në xhiron e 13-të, Rossonerët takohen me Fiorentinën, ndërsa Nerazzurët do të kenë punë me Napolin. /Telegrafi/

Standings provided by SofaScore LiveScore
Exit mobile version