Site icon Telegrafi

Nuk ka fitues në derbi, Gjilani dhe Prishtina ndajnë pikët

Gjilani dhe Prishtina kanë luajtur baras 1-1 në derbin e xhiros së 13-të në BKT Superligë.

Ka qenë një ndeshje shumë e mirë me tifozëritë e dy skuadrave të pranishëm në shkallët e stadiumit në Gjilan.

Rasti i parë i takoi mysafirëve, kur Otto John doli i vetëm përballë Enea Koliqit, por pa arritur ta mposhtë atë.

Në minutën e 14-të, kapiteni i Gjilanit, Gerhard Progni pati mundësi shënimi, por Betim Halimi ishte në vend.

Prishtina kaloi në epërsi pas gjysmë ore lojë, kur Mendurim Hoti dërgoi topin në rrjetë për 0-1.

Augustin Torasa i vendasve pati mundësi për ta barazuar rezultatin në minutën e 37-të, por goditja e tij u ndal nga shtylla.

Me epërsinë minimale të kryeqytetasve përfunduan 45 minutat e para.

Gjilani mbeti me 10 futbollistë në fushë, kur Muhamed Useini u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 55-të.

Tre minuta më vonë, Endrit Krasniqi pati rast të artë, por që goditja e tij u ndal nga shtylla.

Gjilani fitoi penallti në minutën e 67-të, të cilën në gol e shndërroi kapiteni Gerhard Progni.

Vendasit pati mundësi shënimi me Hoxhën e Prognin, por të dy goditjet e tyre u ndalën nga Betim Halimi.

Përkundër se dy skuadrat deri në fund tentuan ta fitonin ndeshjen, një gjëje të tillë nuk ia arritën dhe u desh të kënaqen me nga një pikë.

Gjilani me këtë pikë të fituar ngritët në vendin e dytë me 22 pikë, derisa Prishtina mbetet në vendin e gjashtë me 17 pikë.

Ndeshjen e radhës Gjilani do ta luaj në udhëtim te Ulpiana, ndërsa Prishtina para tifozëve të vet pret Dukagjinin e Klinës. /Telegrafi/

Exit mobile version