Stacioni policor i qytetit Messa në Arizonë ka publikuar një video të filmuar nga kamerat e sigurisë, ku shihen policët duke goditur me grushta dhe shqelma Robert Johnsonin, 35-vjeç, të cilin më pas e përplasin për tokë dhe e prangosin, raporton New York Times.
Videoja që zgjat 20 minuta dhe që është shpërndarë në rrjetet sociale, fillon me daljen e një polici nga ashensori, i cili e ndal Johnsonin dhe Eric Reyes për t’i marrë në pyetje, transmeton Telegrafi.
Dhe kështu tre minuta më vonë, shfaqen edhe tre policë tjerë që e rrethojnë Johnsonin edhe pse nuk shfaqte shenja agresiviteti. Megjithatë, duhet marrë parasysh se videoja nuk ka audio, dhe për këtë nuk dihet se çfarë biseduan gjatë asaj kohe.
Kamerat e sigurisë më pas tregojnë se si policët e prangosin Johnsonin dhe i lidhin këmbët. Ndërsa në minutën e 11-të, derisa po e fusnin në ashensor, njëri prej policëve ia përplas kokën në derën e ashensorit. Dhe sikur kjo të mos u mjaftonte, ata e rikthejnë në tokë, duke e detyruar të qëndroj aty edhe për disa minuta.
Pamjet ndërpriten kur ia lidhin një peshqir të bardhë në gojë dhe e fusin në ashensor. Sipas informacioneve të para, Johsnon më vonë është akuzuar për sjellje të pahijshme, ndërsa policia ishte telefonuar nga një grua e cila kishte deklaruar se Reyes është munduar të futet me dhunë në apartamentin e saj.
Policia e Arizonës fillimisht është munduar ta arsyetoj veprimin e zyrtarëve policorë, duke thënë se Reyes nuk është rrahur pasi i është bindur urdhrave të policisë, ndërsa Johnson jo.
“Kjo video nuk tregon punën e përditshme që e kryejmë. Edhe ata janë njerëz dhe në shikim të parë gjithsesi se duket si një gabim. Punë juaj dhe e imja është të gjejmë përgjigjet se çfarë ka ndodhur në të vërtetë”, ka deklaruar rreshteri Ramon Batista. /Telegrafi/