Telegrafi

Nuk ishte vetëm Messi – si i vuri në siklet “Salt Bae” lojtarët e Argjentinës

“Salt Bae” – kuzhinieri turk është bërë viral në rrjetet sociale pas përfundimit të Kampionatit Botëror, por e gjitha për arsye të gabuar.

Situata e parë e sikletshme jo vetëm për Nusret Gokçe, por edhe për të gjithë ata që e panë atë në fushë, filloi kur tentoi ta përshëndeste Lionel Messin, që në ato momente po festonte me familjen e tij.

Më pas, “Salt Bae” iu afrua edhe Angel Di Maria, me këtë të fundit që i jep një shikim të sikletshëm.

Turku vazhdon më pas edhe me Cristian Romeron, që mbante në kraharor fëmijën e tij, dhe nuk po i lëshonte në fillim trofeun plotësisht në duart e kuzhinierit.

“Viktimë” e Gokçen ishte edhe Lisandro Martinez, që po ashtu u vu në siklet dhe nuk ishte plotësisht i sigurt se a t’i linte trofeun në duar apo jo.

Shumë legjenda të futbollit dhe analistë kanë pyetur se përse FIFA e ka lejuar atë të futej në fushë dhe të festonte me lojtarët e Argjentinës triumfin ndaj Francës, si të ishte pjesë e tyre. /Telegrafi/