Interi i këtij edicioni është një skuadër e frikshme, që nuk mund ta ndalojë askush.
Skuadra e udhëhequr nga Simone Inzaghi është lider absolut në Serie A dhe në rrugë të mirë për tu shpallur kampion i Italisë.
Kur janë zhvilluar 26 xhiro, Inter zë vendin e parë me 66 pikë, nëntë më shumë se Juventusi me Zonjën e Vjetër që kanë një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Ish-trajneri legjendar italian, Marcello Lippi ka thënë se nuk e priste një Inter kaq dominues këtë sezon në Serie A.
“Nuk e prisja që Inter të shfaqej kaq dominues. E dija se do të ishte një shkallë më lartë se pjesa tjetër, por jo me këtë diferencë”, deklaroi Lippi.
Tutje ish-trajneri i Juventusit tha se Inter fiton me shumë lehtësi, edhe në momentin që bën shumë ndryshime në formacionin bazë.
“Ka nëntë pikë më shumë se ndjekësja më e afërt, fiton edhe kur bën ndryshime në formacion, mendoj se kanë gjithçka për të qenë kampionët e Italisë”.
“Nga ana tjetër, prisja që Juventusi të garonte më shumë dhe të mos kishte kaq diferencë me Interin, të paktën në këtë pikë të kampionatit”, u shpreh Lippi. /Telegrafi/