Aleix Garcia është një nga objektivat e Barcelonës për afatin kalimtar të verës, me 26-vjeçari, i cili aktivizohet si mesfushor dhe po shkëlqen me Gironën në La Liga këtë sezon.
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta do të paraqesë në fundin e sezonit një ofertë zyrtare për lojtarin që debutoi edhe me Spanjën gjatë nëntorit të vitit të kaluar.
Garcia thotë se aktualisht nuk e ka mendjen te afati kalimtar dhe madje e merr me humor lajmin që po e kërkon Barcelona.
“Nuk mendoj se ata e kanë numrin tim të telefonit… Kur luan në nivele të mira, padyshim që shumë klube shfaqin interes për ty. Dhe menjëherë nisin thashethemet”.
“Gjithsesi, le të shohim se çfarë do të ndodhë në fundin e sezonit. Sigurisht që do të më pëlqente të luaja me Barcelonën. Është klubi që kam ndjekur që i vogël dhe i preferuari im”, ka thënë Garcia.
Mesfushori këtë sezon qëndron mirë edhe me numra, duke shënuar tre gola dhe duke dhënë tre asistime. /Telegrafi/