Tashmë me një biletë që i garanton pjesëmarrjen në Evropianin e verës së ardhshme në Gjermani, Shqipëria do të luajë në “Air Albania” ndeshjen e fundit në Grupin E ndaj Ishujve Faroe.
Në kryeqytet pritet një festë e madhe ndërsa kuqezinjtë kërkojnë të sigurojnë edhe vendin e parë në grup, ku i mjafton vetëm një pikë.
Ndërkohë, para ndeshjes së të hënës, në konferencë për shtyp foli trajneri i kombëtares së Ishujve Faroe, Jakan Ericson. Ky i fundit theksoi se nuk pretendon t’i prishë festën Shqipërisë, megjithatë në fushë skuadra do të mendojë për veten ndërsa shtoi se do të provojë disa skema të reja.
“Ne nuk jemi këtu për ti prishur punë apo rezultatin Shqipërisë, por për të bërë mirë vetë e për të ecur përpara. Do të aplikojmë disa skema të reja në këtë ndeshje, që nuk kemi patur mundësi t’i provojmë”, u shpreh tekniku Ericson.
Interesant ishte fakti që Ishujt preferuan që stërvitjen ta lejonin të lirë përgjatë gjithë kohës edhe në prezencën e mediave dhe jo siç veprohet zakonisht kur seanca zhvillohet me prezencën e mediave vetëm në 15 minutat e para të saj.
Në grupin ku gjendet Shqipëria një garë e fortë po zhvillohet për vendin e dytë dhe dueli direkt mes Republikës Çeke dhe Moldavisë, do të vendosë ekipin e dytë pas kuqezinjve që do të marrë rrugë për Gjermani./Telegrafi/