Site icon Telegrafi

“Nuk dorëzohemi, kemi shpirtin shqiptar”, Strakosha ka besim tek Shqipëria para Euro 2024

Shqipëria fitoi “testin e fundit” para fillimit të Euro 2024, duke mposhtur me rezultat 3-1 Azerbajxhanin në Hungari.

Pas përfundimit të ndeshjes, portieri Thomas Strakosha u deklarua për media, duke thënë se Shqipëria nuk do të dorëzohet, pavarësisht se kualifikimi është i vështirë.

“Jam mirë me shëndet, ndihem mirë. Të gjithë ndihemi mirë. U mbyll faza përgatitore, u duk pak lodhja, por fituam. Tani të përgatitemi për Italinë”.

“Euro 2024? I dimë mirë kualitetet e kundërshtarëve. Kam shumë besim tek ekipi. Të mbrojmë dhe sulmojmë të gjithë bashkë. E dimë që do të jetë shumë e vështirë të kualifikohemi. Por kemi shpresë, dëshirë dhe shpirtin shqiptar. Nuk dorëzohemi kurrë”.

Lexo po ashtu Shqipëria fiton me tre gola ndaj Azerbajxhanit testin e fundit - gati për Euro 2024

“E kam thënë gjithmonë, rëndësi ka Kombëtarja. Kushdo që do të luajë do të jetë gati. E vendos trajneri kush luan. Jam shumë i lumtur që do të luaj për herë të parë në një Evropian. Dallohet nga buzëqeshja ime. Rëndësi ka të jemi gati, pastaj vendos trajneri”, ka thënë Strakosha.

Shqipëria ndeshjen e parë në Euro 2024 do ta luajë më datë 15 qershor ndaj Italisë me fillim nga ora 21:00./Telegrafi/

Exit mobile version