Site icon Telegrafi

Nuhiu i lumtur me tri pikët ndaj Feronikelit: U shpërblyem me meritë

Drita ka marrë një fitore të madhe në udhëtim te Feronikeli me rezultat minimal 0-1.

Kampioni në fuqi i Kosovës iu falë një goli të Festim Alidemas në minutën e 95-të për të marrë një tre pikësh të artë nga kjo sfidë.

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka thënë se e ka ditur që do ta kenë të vështirë, ndërsa thotë se kanë fituar me plot meritë këtë takim.

“E kemi ditur që do ta kemi vështirë. Sot deshëm që kundërshtari ta mbajë topin, ndërsa ne të shfrytëzojmë kundërsulmet. I krijuam disa raste në pjesën e parë, por golin e gjetëm deri në fund. Në fund u shpërblyem me plot meritë”.

“Goli në minutat e fundit të sjellë emocion, më tepër më gëzon fakti që realizoi Alidema, sepse ka punuar shumë për këtë moment”.

“Rexha? Çdo futbollist është i rëndësishëm, por kur një lojtar nuk është mirë fizikisht, ne e kërkojmë maksimumin nga të tjerët. Të gjithë kanë bërë mirë sot dhe jemi të lumtur”, deklaroi trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu.

Pas kësaj fitore, gjilanasit rikthehen në pozitën e parë me 50 pikë të tubuara, dy më shumë se Ballkani dhe tri më shumë se Prishtina.

Ndeshjen e radhës Drita do të ketë punë të vështirë, kur në stadiumin e qytetit në Gjilan luan derbin lokal ndaj Gjilanit.  /Telegrafi/
Exit mobile version