Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, i ka uruar lojtarët e tij pas triumfit ndaj Gjilanit në derbin e Anamoravës.
‘Intelektualët’ fituan me rezultat 4-1 përballë rivalit lokal me het-trikun e Marko Simonovskit dhe një gol të Blend Baftiut, derisa për ‘Skifterat’ shënoi Baton Zabërgja.
Në deklaratën e tij për Art Sport, Nuhiu ia dedikoi fitoren mjekut Visar Huruglica, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme (e martë).
Ai ka thënë se fitorja në derbi është e veçantë për tifozët dhe se këtë triumf ia dedikon “Visarit dhe familjarëve të tij”.
Trajneri i ka përgëzuar tifozët që e mbështetën skuadrën në stadium dhe futbollistët e tij që e patën nën kontroll ndeshjen.
Nuhiu ka thënë tutje se ekipi i tij duhet të mbetet i përqendruar dhe menjëherë të nisë përgatitjet për ndeshjet e radhës duke filluar me sfidën ndaj Malishevës.
Drita dhe Gjilani ndajnë kreun e tabelës në Superligën e Kosovës në futboll me nga 14 pikë.